E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Çdo ditë burgu dëmshpërblim ish-të përndjekurve



Presidenti Bamir Topi i bëri dje thirrje qeverisë që të dëmshpërblejë ish-të burgosurit politikë për çdo ditë burgu të kryer në regjimin komunist. Sipas tij, duhet të nisë sa më shpejt zbatimi i ligjit për dëmshpërblimin e tyre për të mos mbetur në kuadrin e fjalëve. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, foli dje gjatë ceremonisë së dekorimit të 22 familjeve shqiptare që iu pushkatuan të afërmit gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Kreu i shtetit, duke theksuar se ka ardhur koha të nderohen intelektualët, premtoi se do të bëjë gjithçka që përmes ligjeve dhe dëmshpërblimeve morale të vendoset në vend historia. "Ekzekutimi i 22 intelektualëve nga komunizmi ka qenë një servilizëm ndaj sovjetikëve", - u shpreh Topi. Vrasja e 22 personave dhe arrestimi i dhjetëra të tjerëve u bë në vitin 1951, kur një bombë shpërtheu në ambasadën e atëhershme ruse.

Kreu i shtetit, Bamir Topi, e cilësoi këtë masakër si servilizëm të qeverisë së kohës nga bashkimit sovjetik. Familjarët dhe pasardhësit e njëzet e dy viktimave të arrestuara e më pas të pushkatuara, ku numëroheshin disa prej intelektualëve më të shquar e më në zë të kohës si Pjerin Guraziu, Niko Lezo, Anton Delhysa, Qemal Kasaruho, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Sabiha Kasimati, Reiz Selfo, Jonuz Kaceli, përkujtuan njërën prej ngjarjeve më të rënda të krimeve të sistemit të atëhershëm diktatorial. Pak ditë nga afati i përcaktuar nga qeveria për nisjen e dëmshpërblimin financiar të ish-të përndjekurve, Presidenti Topi kërkoi që ky proces të mos mbesë vetëm në tentativë. “Gjithçka të vlerësohet në atë linjë që ne kemi thënë, sidomos në mënyrë shumë frekuente në muajt e fundit, që të bëhet gjithçka jo thjesht për t’i kujtuar, por për të rikuperuar sadopak edhe në linjën e ligjeve, të dëmshpërblimeve morale dhe ekonomike për një shtresë dhe për pasardhësit e tyre”, - u shpreh Topi. Dy ditë më parë kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi nga Shkodra se nisja e procedurave për dëmshpërblimin financiar mund të konsiderohet çështje ditësh, po ashtu dhe amendimi i ligjit që zgjeron gamën e përfituesve nga ky dëmshpërblim. Në buxhetin e vitit 2009 janë parashikuar rreth 2 miliardë lekë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Sipas të dhënave zyrtare, në Ministrinë e Drejtësisë deri më 19 dhjetor 2008, janë paraqitur 17.579 kërkesa për dëmshpërblim financiar, të cilat janë trajtuar dhe po trajtohen nga ky institucion. Ky dikaster ka përfunduar trajtimin për mbi 1.400 kërkesa, të miratuara nga Këshilli i Ministrave, për të cilët do të shpërndahet dëmshpërblimi financiar.

Ligji i ish-të përndjekurve, më 12 mars votohen amendimet

Parlamenti do të votojë me datën 12 mars amendimet e fundit që i janë bërë ligjit "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist", të propozuara nga deputeti i PD-së, Astrit Bushati. Konferenca e Kryetarëve vendosi dje me konsensus që në kalendarin trejavor të punimeve parlamentare për periudhën (3-23 mars) këto propozime të shqyrtohen në seancën plenare të 12 marsit. Drafti i paraqitur synon të plotësojë një vakuum në ligjin aktual për disa kategori personash të persekutuar nga regjimi komunist dhe të dënuar nga ligjet speciale në vitet 1945-1946. P/ligji u mundëson familjarëve të personave të dënuar apo të pushkatuar, që nuk kanë qenë të martuar, për të përfituar nga ky ligj. Këta familjarë, pavarësisht nga persekutimi i veçantë që kanë pësuar për këtë shkak dhe përkujdesja e posaçme për të afërmit e tyre të pamartuar, gjatë gjithë periudhës së persekucionit nga regjimi komunist, nuk kanë përfituar nga ligji i miratuar në vitin 2007. P/ligji i paraqitur për diskutim në Komisionin parlamentar të Ligjeve rreth dy javë më parë, u mbështet nga të dyja palët, ndërkohë që përfaqësues të Ministrisë së Financave shprehën rezerva lidhur me faturën financiare të tij. Sipas ekspertëve, zgjerimi i listës së përfituesve shton faturën financiare të këtij procesi, duke kërkuar një kosto suplementare në buxhetin e shtetit. Nga ana e tij, Komisioni i Ligjeve kërkoi që nisma e paraqitur nga deputeti demokrat t’i dërgohej Ministrisë së Financave, e cila të shprehet për faturën financiare të draftit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›