E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Politika e vjetër duhet të marrë fund

TIRANË- Politika e vjetër duhet të marrë fund, sepse ka vonuar rrugën e Shqipërisë drejt mirëqenies dhe zhvillimit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përcjellë këtë mesazh, dje, në takimin me Vullnetarët e Bashkimit të Ri për Ndryshim, të zhvilluar në qytetin e Tepelenës. "Kjo politikë e vjetër, që jeton me dështimet që i shkakton vetë, duhet të marrë fund dhe ne duhet të konkurrojmë se kush i bën gjërat më mirë në shërbim të njerëzve, kush mendon më mirë e punon më mirë për rrugëzgjidhjen e problemeve të vendit, kush ushqen më shumë shpresë e besim tek Shqipëria e tek njerëzit dhe jo kush bllokon, pengon e shan më shumë tjetrin, duke nxitur mllefin e përçarjen mes njerëzve dhe duke vonuar vendin në rrugën e krijimit të mirëqenies e të bashkimit me Evropën.
Ata ju çojnë çdo muaj faturën e papërballueshme aforfe të kostos së rritur të jetesës, kurse vetë dalin në televizor për t'ju thënë se sa mirë jetoni", - tha Rama. Ai shtoi se, "ju nuk keni dritë, ata ju thonë se jua japin 24 orë, pavarësisht se juve ju ikin dritat. Ju nuk keni punë, ata ju thonë se Shqipëria po zhvillohet më shpejt se Kina. Ju nuk arrini dot fundin e muajit dhe nuk blini dot as ilaçet, e jo më dhuratën për ditëlindjen e fëmijës, ata ju thonë se ju kanë rritur pensionin e rrogën, si asnjëherë më parë. Ju nuk keni certifikatën e pronësisë mbi tokën që punoni, ata ju thonë se kjo është një gënjeshtër e opozitës. Ju nuk i blini dot fëmijës abetaren, ata ju thonë se jemi në moshën e internetit". Ndaj, kryetari i PS-së, Edi Rama, iu referua zgjedhjeve të ardhshme në fund të muajit qershor, teksa u shpreh se, "këto zgjedhje janë mundësia dhe mjeti për t'u hapur rrugë ëndrrave të fëmijëve tanë". "Këto zgjedhje janë një udhëkryq mes së shkuarës dhe së ardhmes dhe një shtysë për t'i dhënë jetë një bashkimi njerëzish, që nuk duan të mbeten peng i lojës së interesave të të njëjtave personazhe e oborresh familjare e klanore, sa djathtas e majtas. Që në 28 qershor të mos fitojnë ata që kanë fituar gjithmonë, edhe kur kanë humbur politikanët, por të fitojnë ata që kanë humbur gjithmonë, edhe kur kanë fituar qytetarët, na duhet një bashkim i ri qytetarësh dhe jo një pazar i vjetër kryetarësh",- tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›