"Ora e Debatit":Universitet publik apo privat
Dilema për të pasur një diplomë nga një universitet publik apo privat ishin në fokus të emisionit "Ora e Debatit" nga gazetari, Alfred Peza. Vlera e diplomës që marrin studentët në Shqipëri, dallimi mes një universiteti të mirë dhe të keq,stafi akademik, akreditimi i universiteteve ishin disa nga temat e diskutuara nga të ftuarit. Për më shumë se dy orë, përfaqësues të univeristeteve publike dhe privat dhe ministri Fatos Beja diskutuan për pikat më kyçe në të cilën duhet të ndërhyhet në universitetet shqiptare. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, vlerësoi se faktor pengues në arsimin e lartë është numri i laboratorëve edhe profesorëve.Sipas tij, në Shqipëri ka një numër të pakët studentësh në raport me vendet e tjera të BE-së. Sipas ministrit Beja, qeveria ka qenë mbështetëse në miratimin e programeve në ndihmë të studentëve. "3.6% e GDP-së shkon për arsimin",theksoi ai.Sipas Bejës, në arsimin e lartë privat në Shqipëri nuk është arritur i njëjti nivel si për arsimin privat të shkollës së mesme dhe fillore. "Pjesa më e madhe e studentëve që nuk kualifikohen në universitetet shtetërore shkojnë tek privati. Pra nuk janë studentët më të mirë që shkojnë tek privati", nënvizoi ai.Rektori i Universitetit Publik të Tiranës, Dhori Kule u shpreh se masivizimi i universiteti është një hap pozitiv. Sipas tij do jetë tregu i punës ai që do të bëjë edhe seleksionimin mes një numri kaq të lartë të diplomuarish."Diplomat tona janë të absorbueshme jo vetëm në tregun tonë,por edhe në atë ndërkombëtar. Mundësia për të fituar një master arrihet pasi është bërë sistemi 3-vjeçar i mbaruar në universitetin publik", tha ai.Rektori i Universitetit "Kristal", Mareglen Spiro u shpreh se universitetet publike dhe private janë komplementarë mes tyre,plotësojnë njëra-tjetrën. Sipas tij,në një këndvështrim universitetet private mund të shihen si një biznes."Tendenca për të qenë i pari në treg janë tendenca e një kompania arsimore si e jona. Tendenca për zgjerim dhe cilësi të lartë është një aspekt i të bërit biznes në arsim",theksoi Spiro. Sipas tij, masivizimi i univeristeteve është një inisiativë e mbarë e marrë nga qeveria. Adrian Civici,rektor i Universitetit Europian të Tiranës nënvizoi se sfida më e madhe për universitetet është rritja e nivelit mesatar të numrit të personave që kanë një diplome."Universitetet private lindën si një nevojë e studentëvë që nuk mund të merrnin një diplomë në universitetin shtetëror, por tani janë pjesë e sistemit universitar dhe është vetëm pagesa ajo që i diferencon",u shpreh ai. Sipas Civicit universitete publike dhe private janë në garë për cilësinë e diplomës,në mënyrë që diploma e marrë të jetë në përshtatje me tregun e punës. Kryetari i Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë,Bardhyl Musai u shpreh se tashmë janë akredituar disa nga universitetet private dhe publike,por ky proces vazhdon. Ai shpjegoi se akreditimi i një universiteti është i rëndësishëm sepse "Akreditimi do të thotë besueshmëri,pra sa e besueshme është diploma që merr një student". Musai bëri me dije se për një universitet koha për të marrë akreditimin është 3-vjet, pra pas dhënies së diplomës së parë."Akreditohet diploma dhe institucioni që lëshon diplomën", shtoi ai. Pyetjes së sondazhit nëse është më mirë të kesh një diplomë nga një universitet publik apo privat, 47.7 % e votuesve zgjodhën privatin dhe 52.3% universitetin publik.