E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi e Berisha presindelegacionin e PK të Kinës

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot një delegacion të Partisë Komuniste të Kinës të kryesuar nga anëtari i byrosë politike, Liu Janshan, ku përfitoi nga rasti për të nënvizuar marrëdhëniet miqësore dypalëshe.

Topi shprehu vullnetin dhe dëshirën e Shqipërisë për të forcuar marëdhëniet në fushën e turizmit, kulturës, mjeksisë dhe vecanërisht ekonomisë.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Topi e përqëndroi bisedën dhe tek njohja e mëtejshme e pavarësisë së Kosovës, ku Kina si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit mund të luajë një rol konstruktiv dhe përcaktues në të ardhmen.

Më tej delegacioni kinez u prit dhe nga kryeministri i vendit, Sali Berisha i cili gjithashtu foli për cështjen e Kosovës, duke u shprehur se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë qartësoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Deri tani, Kina e ka kundërshtuar pavarësinë e shtetit më të ri të Europës duke insistuar në parimin e paprekshmërisë së tërësisë territoriale.
Kryeministri vlerësoi kontributin e Kinës në Shqipëri përgjatë gjithë këtyre viteve dhe vlerësoi politikën e shtetit kinez, si një politikë paqeje dhe stabiliteti.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria është vend me mundësi investimi në shumë fusha, përfshi këtu fushën e energjetikës, atë të turizmit etj.
Nga ana e tij vetë Liu Janshan i vlerësoi shumë të rëndësishme marëdhëniet ndërpartiake.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›