E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE: Koncensionetnë përputhje me ligjin

TIRANE- Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Durim Kraja tha sot në një konferencë për shtyp se "konçensionet janë dhënë në përputhje me kuadrin ligjor", ndërsa bëri të njohur dhe për transparencë projektin konçensionar të sulmuar ditët e fundit nga opozita, atë të Zallit të Okshtunit në lidhje me përfshirjen në të të kunatit të ministrises së Integrimit, Majlinda Bregu.

"Ne i jemi mirënjohës atyre që duan të investojnë në Shqipëri, të huaj apo shqiptarë qofshin dhe përpara se t’i bëjnë nder gjithsecilit, ata i kanë bërë nder kombit, Shqipërisë dhe zhvillimit të saj", tha Kraja.

"Procedura e dhënies me konçension të këtij projekti konçensionar në hidroenergji filloi në korrik 2008 me VKM përcaktës, me anë të së cilit u përcaktua autoritetin kontraktor dhe i ka dhënë bonusin kompanisë, që përvijoi propozimin, "Albani" me tre pikë përqindje në total dhe vazhdoi me procedurë të hapur konkurruese, duke garantuar transparencën dhe konkurrueshmërinë përgjatë këtij viti, duke përfunduar me shpalljen fitues të bashkimit të përkohshëm të gjashtë shoqërive shqiptare dhe miratimin e kontratës konçensionare nga Këshilli i Ministrave në datën 11 qershor 2009", tha Sekretari i Përgjithshëm i METE-s, Durim Kraja.

Sipas Krajës, "ky bashkim i përkohshëm ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe kriteret e vlerësimit, teknike, ekonomike dhe financiare, të përcaktuara në dokumentet e pjesëmarrjes në garë. Shoqëritë fituese të projektit në garë dhe që kanë lidhur kontratën më pas janë: Shoqëria 2 T shpk, shoqëria Mix Tecnic shpk, shoqëria Junion Distribution Service Albanian sh.pk, Albadi shpk, ME-AJ Energy shpk, Perxhola shpk".

Sipas tij, koncensionet për ndërtimin e hidrocentraleve janë investime tërësisht private, ku investitori mban riskun e projektimit, dizenjimit të veprës, ndërtimit, operimit, riinvestimit të teknologjisë dhe transferimit përsëri pas 35 vjetësh në favor të publikut.
(e.n/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›