E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faksi i Bumçit për Shkëlzen Berishën

GËRDECI/ Shkresa e firmosur prej ish-ministrit Aldo Bumçi informonte për projekt-vendimin për demontimin e armëve

Zbulohet dokumenti i faksuar nga Ministria e Drejtësisë për djalin e kryeministrit Berisha

TIRANË- Një shkrim i zakonshëm dore, mbi një shkresë zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë duket se është filli i një sërë procedurash për ndërtimin e fabrikës së vdekjes në Gërdec. Dokumenti i shumëpërfolur prej mëse tre muajsh në qarqet politike të Tiranës dhe në Kuvendin e Shqipërisëështë një faks i nisur nga zyra e ish-ministrit Aldo Bumçi e që mban shënimin: “për Shkëlzen Berishën” në anë. Në të vërtetë, dokumenti i mësipërm, i firmosur nga Bumçi miratonte lëvizjen ligjore për të përligjur demontimin e armëve në Gërdec dhe i drejtohej ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu. Por ç’donte emri i djalit të kryeministrit, Shkëlzenit në një shkresë zyrtare që miratonte projekt-vendimin që do të miratohej një ditë më vonë në qeverinë e drejtuar prej të atit? Dyshimi është vetëm një, ndërsa e vërteta mbetet për t’u zbuluar nga prokuroria.

Zbulimi i dokumentit zyrtar që është nisur me faks në adresë të Shkëlzen Berishës shton dyshimet e hedhura që pas shpërthimeve apokaliptike në Gërdec, se në një mënyrë apo në një tjetër, djali i kryeministrit kishte lidhje me procesin e demontimit të armëve. Nëse deri më tani janë publikuar të dhëna për miq të afërm të djalit të kryeministrit që drejtonin fabrikën e vdekjes, dalja e emrit të Shkëlzenit në një dokument zyrtar do të thotë se ai informohej për demontimin, ende pa u ngritur fabrika në Gërdec. Dokumenti i publikuar është nisur nga zyra e ish -ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, në adresë së Ministrisë së Mbrojtjes. Faksi mban datën 13 mars të vitit 2007 dhe është shkresë e dërguar për të koordinuar punën për hartimin e vendimit të Këshillit të Ministrave: “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Në fakt, shkresa e sekuestruar edhe nga prokuroria, do të ishte një dokument i thjeshtë nëse mbi të nuk do të ekzistonte mbishkrimi: “për Shkëlzen Berishën”, që siç dihet nuk ka patur dhe nuk ka asnjë funksion në Ministrinë e Mbrojtjes.

Faksi i mësipërm, për të cilin ish-ministri i Drejtësisë ngulmon se është i falsifikuar është protokolluar nga zyrtarë të Ministrisë së Mbrotjes, duke i dhënë efekshmërinë e plotë ligjore edhe pse ishte përcjellë nga zyra e ish- ministrit të Drejtësisë nëpërmjet faksit. Në këtë shkresë, Bumçi shprehet parimisht dakord me draftin për demontimin e municioneve ushtarake, ndërsa i rekomandon Mediut që në projektvendim të saktësohet se kush është kryetari i komisionit të tenderimit dhe të shmangen fjalët e huaja gjatë hartimit të projektit. Përveç mbishkrimit që faksi t’i dërgohej edhe djalit të kryeministrit, fakt është një një ditë më vonë, Berisha ka mbledhur Këshillin e Ministrave për të miratuar pikërisht atë projekt –vendim që do t’i hapte rrugë ndërtimit të fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Më 14 mars 2007, një ditë pas datës së faksit, Këshilli i Ministrave ka vendosur me iniciativë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu të miratojë vendimin për procedurën e trajtimit të armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi. Ky vendim, edhe pse i miratuar bashkë me 14 vendime të tjera nuk është bërë publik për mediat dhe nuk është zbardhur në faqen zyrtare të qeverisë, ku publikohen të gjitha vendimet dhe fjalimet e kryeministrit Sali Berisha.

Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi mohon t’i ketë dërguar shkresë Shkëlzen Berishës

Bumçi: Shkresa është false,e nisa më 9 mars dhe jo 13

TIRANË- Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi, ka mohuar për të dytën herë t’i ketë dërguar ndonjë faks djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, edhe pse ky dokument ndodhet prej kohësh në duart e prokurorisë. Ai ka pretenduar se faksi me emrin e djalit të kryeministrit është i falsifikuar, ndërsa ka shfajësuar edhe ish-stafin e tij të ngushtë. Thuajse të njëjtën deklaratë që bëri një ditë pas debateve në Kuvend e ka përsëritur gjatë ditës së djeshme Bumçi, duke shtuar se këtë shkresë ai ia kishte nisur ish-ministrit të Mbrojtjes më 9 mars dhe jo më 13. “Unë i qëndroj gjithçkaje që kam thënë në deklaratën para dy ditësh, çdo fjalë, pikë e presje. Ai është qëndrimi im me përgjegjësinë politike e morale”, -ka ripërsëritur dje ish -ministri i Drejtësisë.Në këtë deklaratë, Bumçi ka mohuar t’i ketë drejtuar një shkresë djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berishës ku jepej informacion për Gërdecin. Bumçi deklaroi në përgjegjësinë e tij personale se dokumenti i propozuar nga opozita është falsifikuar duke renditur ndër arsyet kaligrafinë dhe diferencën e ditës kur është dërguar ky informacion. “Çdo shkrim në dokumentin e pretenduar është i falsifikuar dhe nuk është i ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, gjë e cila vërtetohet shumë thjeshtë nga vërtetimi i kaligrafisë, shkrimi im si ish-ministër Drejtësisë gjendet në qindra dokumente. Fakti i dytë është se në arshivën e Ministrisë së Drejtësisë nuk gjendet asnjë dokument origjinal, që protokollohet dhe ruhet në këtë ministri, që të përmbajë shënimin në fjalë”,- është rrekur të bindë ish-ministri Bumçi. DOKUMENTI

Ministria e Drejtësisë nxjerr nga arkiva shkresën e Bumçit

TIRANË- Nuk ka dyshim që është i njëjti dokument ai i gjetur në arkivën e Ministrisë së Drejtësisë me atë të sekuestruar nga prokuroria në Ministrinë e Mbrojtjes. Kuptohet, sa i përket përmbajtjes. Ndryshimi qëndron tek emri i Shkëlzen Berishës me shkrim dore dhe tek data e shënuar mbi këtë shkresë të firmosur prej Bumçit. Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë dje nga arkivat shkresën e shumë diskutuar dhe askush nuk priste që në anë të saj të gjendej emri i djalit të Berishës. Por kjo lëvizje shtetërore për të hedhur poshtë faksin kompromentues nuk tregon asgjë: Një shkresë e tillë mund të shumëfishohet dhe të dërgohet në disa drejtime brenda një dite ose në ditë të ndryshme. Ajo që mbetet për t’u verifikuar, tash e tutje, sigurisht që është punë e grupit hetimor të tragjedisë së Gërdecit. Prej kohësh, prokuroria e ka gjetur këtë faks me emrin e Shkëlzen Berishës në Ministrinë e Mbrojtjes, e tashmë mbetet që shqiptarët të dinë pse djali i kryeministrit ishte i interesuar të dinte procedurat ligjore shtetërore dhe pse zyrtarë të lartë të administratës janë vënë në shërbim të interesit të tij.

Grupi hetimor i Gërdecit pritet të marrë në pyetje ish-ministrin Bumçi dhe disa ministra të kabinetit “Berisha”

VKM-ja dhe faksi, Bumçi në listën e Prokurorisë

TIRANË- Mes ministrave të kabinetit “Berisha”, në listën e dëshmitarëve të bërë gati nga prokuroria gjendet edhe emri i Aldo Bumçit. Janë dy arsyet që e kanë shtyrë grupin hetimor të tragjedisë së Gërdecit të klasifikojnë ish-ministrin Bumçi si dëshmitar të nevojshëm për hetimet e mëtejshme: mendimi i tij pro për projekt-vendimin e demontimit të armëve dhe shkresa me emrin e Shkëlzen Berishës, e faksuar prej zyrës së tij. Imuniteti i tij, por edhe i ministrave Enkelejd Alibeaj e Ridvan Bode e detyron Prokurorinë e Përgjithshme që të marrë dëshmitë e tyre, vetëm nëse ata dëshirojnë të japin shpjegime.

Hetimet

Fakti që ish- ministri Aldo Bumçi kishte miratuar procedurat për projektligjin e demontimit të armëve kishte mjaftuar që prokuroria të përfshinte emrin e tij në listën e gjatë të personave për të dëshmuar. Pas sekuestrimit të transkriptit të mbledhjes së qeverisë më 14 mars 2007, grupi i hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka përfshirë emrin e ish- ministrit në hetimet e tragjedisë. Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës kanë deklaruar për “Shekullin” se marrja në pyetje e ministrave dhe e ish-ministrit Bumçido të bëhet me dëshirën e tyre, pasi t’u dërgohet nga një ftesë zyrtare për të dhënë shpjegime për dijeninë që ata kanë në lidhje me procedurat e projektligjit për demontimin, që u pasuan me vendimin e Këshillit të Ministrave me nr. 138 të datës 14 mars 2007, “Për trajtimin e armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Pikërisht për këtë vendimqë i hapi rrugën ndërtimit të punishtes së demontimit në Gërdec ka dhënë miratimin e tij ish- ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi. Shkresa efirmosur prej tij bën me dije seinstitucioni që ai drejton është dakord me procedurat e ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes.

Megjithëse Bumçi ka mohuar të ketë dërguar një shkresë në emër të Shkëlzen Berishës, faksi i publikuar pritet të jetë objekt i hetimit të prokurorëve të çështjes. Po kështu në listën e ministrave që pritet të dëshmojnë në organin e akuzës janë dhe ministrat Enkelejd Alibeaj dhe Ridvan Bode. Ministri aktual i drejtësisë në kohën që mbante postin e drejtuesit të zyrës së auditit pranë kryeministrisë ka shkëmbyer e-maile me zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, duke qenë parimisht dakord me ata për procedurat e ndjekura në lidhje me trajtimin e armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura. Edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, edhe pse ka qenë i vetmi që ka kundërshtuar në mbledhjen e Këshillit tëMinistrave projektligjin për demontimin e municioneve nga subjekte private, është në listën e personave që do të dëshmojnëpranë grupit të hetimit.

Prokuroria e Përgjithshme zbuloi në zyrat e MEICO-s se përfaqësues i SAC ishte Rrahman Selmanllari

Miku i Shkëlzenit, përfaqësues i SAC

TIRANË- Emri i Rrahman Selmanllarit, biznesmen dhe mik i djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, nuk është lakuar vetëm për trafikun e fishekëve drejt Afganistanit, por edhe për fabrikën e vdekjes në Gërdec. Kohë më parë, gjatë kontrolleve në zyrën e MEICO-s, përfaqësuesit e prokurorisë kanë sekuestruar një autorizim në emër të Selmanllarit, ku i ngarkohej të kthente ish-repartin e tankeve në një fabrikë demontimi municionesh në Gërdec. Kompania amerikane “Southern Ammunition Company”, ose e njohur si SAC, me president Patrick C. Henry IIIpërfaqësohej në Shqipëri nga miku i ngushtë i djalit të kryeministrit, biznesmenit “në hije”, Rrahman Selmanllari. Ky lajm është konfirmuar pak kohë më parë nga Prokuroria, që për shtatë muaj po punon për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.“Nga hetimet e kryera deri tani dhe nga sekuestrimi i një sërë dokumentesh që ndodheshin në sirtarët e zyrave të MEICO-s dhe kompanisë “Albademil” është gjetur dhe administruar në dosje një autorizim i kompanisë amerikane SAC, e cila nën firmën e presidentit të kësaj kompanie, Patrick C. Henry III, autorizonte Rrahman Selmanllarin si përfaqësues të saj në Shqipëri”,-bëjnë me dije burimet e Prokurorisë së Përgjithshme. Në autorizimin e firmosur nga presidenti i SAC-it,Henry, përfaqësuesi Selmanllari, i njohur si miku i ngushtë i djalit të kryeministrit kishte të gjitha të drejtat për zbatimin e drejtë të kontratës mes kompanisë SAC dhe “Albademil” me president Mihal Delijorgjin, në lidhje me çmontimin e municioneve të lehta, duke u bazuar në kontratën e parë të firmosur qershorin e vitit 2007 mes MEICO-s dhe SAC-it.

MBLEDHJA

VKM-ja për Gërdecin u miratua Ditën e Verës

“Ka qenë ditë e mërkurë data 14 mars 2007, kur Këshilli i Ministrave ka vendosur me iniciativë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të miratojë vendimin për procedurën e trajtimit të armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi. Ky vendim, edhe pse i miratuar bashkë me 14 vendime të tjera, nuk është bërë publik për mediat dhe në faqen zyrtare të qeverisë, ku publikohen të gjitha vendimet dhe fjalimet e kryeministrit Sali Berisha”,-thanë burimet e prokurorisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›