E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ditë me stafin e Ina Ramës, pas "plasjes" së luftës me qeverinë

Hyrja në godinën e Prokurorisë së Përgjithshme, i pajisur me një bllok, diktofon dhe aparat fotografik, është tejet e vështirë. Sapo mundohesh të fotografosh pllakatin e mermertë me mbishkrimin "Prokuroria e Përgjithshme", tre punonjës policie "mbijnë nga dheu" dhe të rrethojnë. Më pas, fillojnë kërcënimet e rëndomta, të cilat të kujtojnë kohën e viteve ‘92-‘94 kur gazetarët përndiqeshin. "Do të të shoqëroj në polici", thotë njëri prej tyre, i cili edhe kapelën e uniformës së "shenjtë", që mban veshur, e ka vendosur pak shtrembër, si një "kauboj" i vërtetë. Më pas një tjetër, me mustaqe, të thotë plot autoritet se "ke shkelur ligjin". Kaq mjafton që të pyesim veten nëse jemi aty se kemi kryer evazion fiskal, apo kemi urdhëruar ngritjen e fabrikës së Gërdecit. Gjithsesi, duke u munduar t‘i shpjegojmë punonjësve të policisë se në demokraci fotografimi apo intervistimi i nëpunësve shtetërorë është i ligjshëm, madje zyrtarët kanë për detyrë të të informojnë, pasi paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, marrim një përgjigje se "këtu nuk lejohet fotografimi". E pamundur të kalojmë portën e jashtme me gjithë këto mundime, ku kërcënimet se "do të të shoqërojmë në polici" apo "largohu nga godina e prokurorisë" ,na detyrojnë të lajmërojmë disa zyrtarë të akuzës qendrore.

Brenda prokurorisë

E detajuam "historinë" e policëve të shërbimit, pasi edhe situata brenda prokurorisë është e ngjashme. Futemi në prokurori dhe menjëherë mësojmë se sportelisti është urdhëruar se hyrja brenda akuzës bëhet vetëm me rekomandim. Justifikojmë duke përdorur një emër shefi. Brenda takojmë zëdhënësen Holta Zhiti, dikur edhe ajo gazetare. E pyesim për "sulmet" e qeverisë, ndërsa na përgjigjet se "prokuroria është e angazhuar të përmbushë me përgjegjësi të plotë çdo detyrë që buron nga ligji dhe vetëm ligji! Duke "kopjuar" titullaren, e cila bëri thirrje gjatë analizës 9-mujore që prokurorët të mos dekurajohen dhe "mos të hanë" presione, Zhiti pohon se puna në organin e akuzës ka vijuar normalisht dhe çdo prokuror apo hetues ka vijuar detyrat që i ngarkohen. Pasi kemi bërë një bisedë të përgjithshme me zëdhënësen, takojmë stafin e ngushtë të Kryeprokurores. Pa dashur të prezantohen, për shkak të detyrës specifike, tregojnë për përkushtimin në punë të Ina Ramës. Thonë se ajo vjen në detyrë në orar dhe disa orë rresht është e ngarkuar me takime dhe firmojse dokumentesh. Duket se për stafin e Kryeprokurores, sulmet e qeverisë ndaj institucionit të prokurorisë janë farse dhe lojë politike. "Na duket sikur epror kemi akoma Theodhori Sollakun. Po rikujtojmë kohët e vjetra", thotë duke qeshur një prokuror.

Axhenda e Kryeprokurores

Stafi i Kryeprokurores pohon se puna e shefes së tyre vazhdon të jetë me të njëjtin ritëm dhe nerv si para sulmeve. I pyesim nëse kjo qetësi i buron nga fakti se institucioni i tyre së fundmi është përkrahur hapur nga SHBA dhe BE. Përgjigjja vjen vetëm me një buzëqeshje, që duket sikur nënkupton: Edhe kjo ka të bëjë... "Është gjithnjë e njëjta, përveçse takimet me ndërkombëtarët i janë shtuar shumë këto kohë. Sa për presionet psikologjike, asgjë nuk është e dukshme në paraqitjen dhe sjelljen e saj", thotë një tjetër zyrtar. Prokurorët, të cilët janë në kontakte të vazhdueshme me Ramën, pohojnë me plot gojën se ajo duket mjaft e qetë dhe për asnjë moment nuk demonstron emocione negative para vartësve. Vjen përditë në punë, rreth orës 8:00 dhe del nga prokuroria në orën 4:30, për t‘u kthyer sërish në orën 18:00 deri në... Fjalët e stafit për takime ndërkombëtare vërtetohen shpejt e shpejt nga fakti që në oborrin e Prokurorisë së Përgjithshme futen disa makina me targa diplomatike CD. "Normalisht që situata të tilla krijojnë presion, por kjo gjë nuk po na pengon të punojmë e të luftojmë krimin e organizuar, korrupsionin dhe vepra të tjera. Nuk mund të sulmohen ata që luftojnë krimin, pasi të gjithë po punojnë dhe kjo nuk mund të na mohohet", thotë një prokuror në organin qendror të akuzës, i cili për shkak të situatës së krijuar, nuk dëshiron të citohet me emër. Vetëm kur ora ka shënuar akrepat te numri zyrtar i mbylljes së ditës së punës 16:00-17:00, prokurorët me makinat e parkuara në oborrin e prokurorisë fillojnë të dalin një nga një, pas një dite të lodhshme. Por shpesh rikthehen edhe në darkë. Çështjet janë të tilla saqë s‘pyesin më për oraret zyrtare...

Prokuroria e Tiranës

Atje ku prokurorët "sulmojnë" me punë qeverinë "pro Fazliç"

Fazliç & qeveria

Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet për mikun serbo-boshnjak-britanik të Kryeministrit, Damir Fazliç. Është urdhëruar ngrirja e pasurisë së tij. Por nën hetim është marrë edhe Erion Isufi, kunati i ministrit pa imunitet, Lulzim Basha.

Në të njëjtën ditë, shkojmë në institucionin më të sulmuar nga qeveria për momentin: Prokurorinë e Tiranës. Është një godinë gjashtëkatëshe dhe ndodhet në zonën e "Brrakës". Për nga numri i punonjësve, është organi i akuzës më me shumë nëpunës, duke kaluar edhe akuzën qendrore. Çdo ditë, aty regjistrohen dhjetëra dosje, ndërsa mesatarja e dosjeve në vit për çdo prokuror kalon numrin 100. Përpos këtyre të dhënave, zyrtarë të akuzës pohojnë se puna vijon në normalitet dhe se inati ndaj sulmeve të qeverisë nxirret vetëm me "punë". Me urdhër të Kryeprokurores, kanë filluar një riorganizim të punës, në përshtatje me policinë. "Ndryshimet në Policinë e Tiranës sollën domosdoshmërisht ngritjen e disa sektorëve në prokurori. Në varësi të ristrukturimeve në polici, do të përshtatet i gjithë funksionimi i kësaj strukture", pohuan drejtuesit. Sipas tyre, në prokurori është ngritur seksioni i të miturve, i cili do të hetojë të gjithë personat që janë nën 18 vjeç. Gjithashtu, drejtuesit e akuzës kryeqytetase saktësojnë se është ngritur edhe seksioni i trafiqeve. "Pagëzimi i strukturës së Task-Forcës ka ndryshuar të gjithë organizimin e prokurorisë. Pritet që prokurori i Tiranës, Genti Xholi, të urdhërojë edhe ngritjen e sektorëve të tjerë, të cilët do të drejtohen nga katër zëvendësprokurorët e rrethit", thanë burimet nga kjo strukturë.

Jemi mësuar me sulme

Duket se situata, në të cilën gjendet aktualisht institucioni i akuzës, nuk i ka bërë përshtypje punonjësve të Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, nuk ka rëndësi nëse për çështje të caktuara të përfshihen hetues apo avokatë të huaj. Rëndësi, sipas tyre, ka puna, duke zbatuar drejt ligjin. Duke iu rikthyer sulmeve të fundit të qeverisë ndaj tyre, prokurorët komentojnë me batuta "dhunën e ushtruar" të përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët do të inspektonin regjistrin e kallëzimeve penale. "Si ka mundësi që një qeveri e tërë të jetë në shërbim të një serbi?!", pyet dhe shpreh habinë një hetues. Një tjetër pohon se qeveria shqiptare duhet të marrë frenat në dorë dhe të "dëbojë" të gjithë këta persona, madje bizneset e tyre të "pista" të bllokohen. Por duket se për bllokimin po mendon zyra e Task-Forcës.

Prokurori i Fazliç tek "Ina Rama"

Prokurori Besnik Cani, i akuzuar nga Dhoma Kombëtare e Tregtisë se ka urdhëruar ngrirjen pa asnjë provë të dy kompanive ku dyshohet se aksioner është Fazliç, ka kryer takime dje pasdite në Prokurorinë e Përgjithshme me "shefen e madhe", Ina Ramën. Kolegë të tij pohojnë se "urdhrat" nga lart për çështje të tilla janë thelbësore, pasi ndihmojnë për hetimin sa më të shpejtë të dosjeve të "politizuara". Për këtë shkak, kanë hyrë në konflikt me Ministrinë e Drejtësisë. Madje zyrtarët e Prokurorisë së Tiranës kanë urdhëruar disa ditë më parë tre punonjës të Policisë së Shtetit për të mos lejuar inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë për të kryer kontrolle. Me urdhër të drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, Genti Xholi, punonjësit e policisë janë vendosur në hyrje të godinës, ku kanë debatuar për disa minuta me disa punonjës të Ministrisë së Drejtësisë. Këta të fundit i bënin thirrje punonjësve të policisë që t‘i lejonin për të hyrë, në godinën e prokurorisë, pasi, me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, duhet të kryenin kontrolle. Por, të prerë, pasi detyra ua lejon një gjë të tillë, ata kanë kthyer mbrapsht të dërguarit e Enkelejd Bejës. Prokurorët vazhdojnë të jenë të bindur se ministria nuk ka kurrfarë të drejte të kontrollojë punën e organit të akuzës kur çështjet janë ende nën hetim siç edhe është aktualisht dosja "Fazliç".

Dosja "Fazliç" në kasafortë

Por veprimet e Prokurorisë së Drejtësisë, krahas ruajtjes së institucionit, kanë asistuar edhe në sigurimin e dokumenteve që kërkonte ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Dosja 3258 (dosja "Fazliç") është futur në kasafortë, pasi kishte informacione se kopje të dokumenteve mund t‘i servireshin inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë. Faktet dhe provat që i përkasin kësaj dosjeje janë siguruar nga zyrtarët e Prokurorisë së Tiranës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›