E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali me përgjimin e bizneseve

Partia Socialiste kundërshton nismën e qeverisë për të ndryshuar sërish ligjin mbi përgjimin e telekomunikacioneve. Anëtari i Komisionit të Sigurisë, njëkohësisht ish-ministër i Rendit Publik, Stefan Çipa, sqaron të metat e këtij propozimi. Në një intervistë për "Shqip", ai konstaton se qeveria po tenton të vendosë nën përgjim selektiv bizneset, duke i dhënë të drejtën e kërkesës për përgjim edhe Ministrisë së Financave. Teksa sqaron se gradualisht, e drejta e përgjimit po vihet nën kontroll të qeverisë dhe po përdoret politikisht.

Zoti Çipa, si e konsideroni nismën e fundit të qeverisë për t‘i dhënë Ministrisë së Financave të drejtën që të kërkojë përgjim të telefonave?

Po tentohet të abuzohet me nenin 6 që u votua më parë me votat e mazhorancës. Ai u miratua në një kohë që kishte një komision hetimor në Kuvend që po merrej me përgjimet e paligjshme. Në atë kohë, nuk u argumentua dhe u tha se po ndryshohet neni 6 vetëm se partnerët ndërkombëtarë kërkojnë ngritjen e një pike përgjimi pranë Prokurorisë së Përgjithshme, pra për të krijuar një bërthamë përgjimi pranë organit qendror të akuzës. Tani, duke spekuluar me nenin 6, kërkohet që të gjitha dikasteret që kanë polici që mund t‘u jepen atributet e policisë gjyqësore, të kenë të drejtë të kërkojnë përgjimin. Unë mendoj se Ministria e Financave kërkon të shtrijë hapin mbi të gjitha bizneset me logjikën e luftës ndaj evazionit fiskal, por në të vërtetë kjo cenon direkt lirinë e individit dhe lirinë e biznesit. Për shembull, Dikasterit të Ministrisë së Ekonomisë, që ka në përbërje të saj policinë elektrike, mund t‘i jepen atributet e policisë gjyqësore dhe të ketë akses përgjimesh. Kuptohet me miratimin e prokurorit etj. Por ne e dimë se sa ndodhin këto në realitet. Ne e dimë që me energjinë elektrike kanë lidhje të gjithë shtetasit shqiptarë. Nëse pastaj për analogji ia japim këtë kompetencë edhe policisë pyjore apo Ministrisë së Mjedisit, dalin tek ai përfundim që unë e kam thënë edhe më parë, se në Shqipëri të gjithë përgjohen. Për mendimin tim, e drejta e përgjimit duhet kufizuar vetëm tek institucionet që janë aktualisht dhe nuk është e nevojshme t‘u jepet kjo e drejtë policive të tjera.

Sa i rrezikshëm mund të jetë sanksionimi i së drejtës, Ministrisë së Financave për të përgjuar bizneset?

Po të shikoni, në përgjithësi lufta ndaj evazionit fiskal dhe fenomeneve të tilla që prekin bizneset kanë për bazë përgjimet që vijnë nga shërbimet e vendeve fqinje. Nëse ky projekt do të kalojë në Kuvend, sipas meje do të cenohet edhe më shumë liria e biznesmenëve për të kryer veprimtarinë e tyre. Në çdo moment, ata do të jenë nën trysninë se do të përgjohen. Mund edhe të mos përgjohen, por imagjinoni që kjo është një dhunë psikologjike që iu bëhet. Për shembull, një biznes mund të zhvillojë një bisedë me një partner tjetër dhe, pavarësisht se ajo nuk realizohet, cilësohet si provë përgjimi. Atëherë biznesmenët do të kufizohen edhe në mënyrën e të folurit që do të kenë në veprimtarinë e tyre. Por me këtë ligj, të gjithë biznesmenët ndjehen të kërcënuar dhe nuk është normale.

Më parë, e drejta e përgjimit dukej se ishte ekskluzive e shërbimeve të inteligjencës, por tani kjo po zgjerohet. A shikoni një tentativë për ngushtim të hapësirave të shërbimit, duke ia shpërndarë edhe institucioneve të tjera?

Bërthama e përgjimit më parë ka qenë te Shërbimi Informativ, por nuk ka qenë e drejtë vetëm e tij. Ai ka fushat e veta të veprimit kur mendon se cenohet siguria kombëtare, lufta ndaj terrorizmit etj. Madje, edhe bërthama e përgjimit në Shërbimin Informativ i ka të ndara fushat e veprimit. Nuk është e vërtetë, madje edhe argumente të hedhura më parë se ngatërroheshin kufjet e operatorëve që merreshin me përgjimet. Duke i shtuar këtë kompetencë prokurorisë, shërbimit të kontrollit të brendshëm, tani edhe Ministrisë së Financave, tregon se përgjimet vihen nën kontroll të qeverisë. Kjo është një mënyrë presioni që qeveria do të bëjë ndaj biznesmenëve dhe këtu patjetër ka selektim të tyre. Po të jetë vegël në duart e qeverisë, natyrisht është i varur prej saj dhe do të jetë në shërbim të politikës.

Cili mendoni se duhet të jetë roli i opozitës për të penguar këtë nismë, kur shumica mund të përdorë forcën e kartonit?

Projektligji nuk na ka ardhur ende në Parlament. Nuk e di se si do ta sjellin, mbase duan ta bëjnë edhe me akt nënligjor, apo vendim akoma më keq. Ne, si opozitë, do të koordinojmë veprimet me të gjitha forcat dhe grupet e interesit, për ta kundërshtuar një ligj të tillë që vë në trysni biznesin. Nëse miratohet me shumicën e kartonëve, ne kemi për detyrë ta kundërshtojmë dhe ta cilësojnë si të paqenë. Pra që me ardhjen tonë në qeverisje ta korrigjojmë. Ne duhet t‘i japim liri të vërtetë biznesit dhe jo nisma të tilla si "Shqipëria 1 euro" etj.

Bizneset në vend reagojnë në forma të ndryshme, ndërsa nuk fshehin dyshimet

Frikë nga përgjimet. Jo,

nëse zbatohet sipas ligjit

Bizneset në vend nuk e kundërshtojnë plotësisht ligjin, por shtojnë se përdorimi i tij duhet t‘i referohet standardeve të përcaktuara në ligj. Tashmë, sikundër është bërë publike pak ditë më parë, ligji "Për përgjimet" i jep të drejtën edhe Ministrisë së Financave që t‘i kërkojë strukturave të posaçme marrjen në përgjim të atyre subjekteve, ku ministria dyshon se po kryejnë aktivitete të adezionit fiskal. I miratuar javën e kaluar në mbledhjen e radhës të qeverisë, neni 6 i ligjit ndryshon si pas fjalëve "… Ministrisë së Mbrojtjes…" të shtohen "… ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore,...". Një pjesë e bizneseve në vend e shikojnë me dyshim ligjin, duke u nisur nga fakti se mund të përdoret në mënyra selektive. Vet ndërtuesit shprehen se nuk janë njohur me ligjin, por, nga ana tjetër, shprehin një lloj habie për ekzistencën e tij. Ndërsa Dhoma e Tregtisë Tiranë shprehet se ky ligj lufton fenomenin e evazionit fiskal, i cili zhvillohet nga ato biznese që nuk duan të paguajnë detyrimet ndaj shtetit. Më të kujdesur në komente janë treguar drejtuesit e "Konfindustrias". Një prej tyre, administratori i Përgjithshëm, Gjergj Buxhuku, u shpreh se "nuk ka asgjë të keqe në ligj, gjithnjë nëse zbatimi i tij do të respektojë hallkat ligjore". Sipas Buxhukut, nëse ligji do të jetë në dorë vetëm të ministrit të Financave, atëherë përdorimi i tij mund të jetë abuziv. Nga ana e tyre, opozitarët e majtë deklaruan se në këtë formë cenohet rëndë pavarësia e përgjimeve dhe komprometohet si proces. Ligji që u votua më 3 mars në Kuvend pa pëlqimin e opozitës dhe që u dekretua nga Presidenti Bamir Topi, modifikoi fillestarin në 10 nene. Opozita ka deklaruar se me ligjin e ri, qeveria shtoi numrin e institucioneve të cilat kanë të drejtë të bëjnë përgjime, siç është Ministria e Brendshme, e cila i merr kompetencat institucionit të Prokurorisë dhe SHISH-it. Ky pretendim është kundërshtuar nga ministrat e kabinetit qeverisës dhe nga deputetët e mazhorancës. Sipas tyre, projektligji nuk sjell ndonjë ndryshim të madh në thelb, ndaj debatet që po bëhen, janë të paargumentuara.

Ndryshimet

Sipas ligjit të vjetër, neni 6 sqaronte se, organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit ishin (dhe janë) Shërbimi Informativ Shtetëror, shërbimet informative/policore të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe çdo shërbim tjetër informativ/policor, i krijuar me ligj kanë të drejtë të kërkojnë përgjimin, për të siguruar të dhënat e domosdoshme për realizimin e detyrave të tyre ligjore. Tani, neni ndryshon dhe merr formën si, pas fjalëve "… Ministrisë së Mbrojtjes…" të shtohen "… ministrive, që kanë në kompetencë forca policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore,..." për sa i përket nenit 8, më parë thuhej se, "Dhënia e së drejtës për përgjim i jepej Prokurorit të Përgjithshëm ose, në mungesë të tij, prokurori i autorizuar prej tij, pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të drejtorit të SHISH-it, ministrit të Rendit Publik, ministrit të Mbrojtjes ose ministrit të Drejtësisë, miraton ose refuzon kërkesën për përgjimin e telekomunikimeve nëpërmjet pajisjeve të telekomunikacionit". Ndërsa tani bëhet, pas fjalëve "... ministrit të Drejtësisë..." të shtohen "...ministrit, që ka në varësi shërbime informative/policore, që ushtrojnë funksione të policisë gjyqësore,..."



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›