E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Eksponentë të dorës së dytë të së djathtës europiane, fushatë kundër PS

Kreu i PS, Edi Rama

Kreu i PS reagon pas takimit Berisha-Volonte.

Grupi Parlamentar i opozitës do të votojë pro kufizimit kushtetues të imunitetit vetëm pasi të jenë diskutuar edhe ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara prej tij, tha dje kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Përmes një reagimi të shpërndarë dje nga selia rozë, Rama i bëri thirrje Kryeministrit që ti hapë rrugë diskutimit të ndryshimeve për heqjen e imunitetit. Me këtë rast, Edi Rama i bën thirrje Kryeministrit të heqë dorë nga politika e shpifjeve dhe sharjeve ndaj opozitës dhe ti hapë rrugë pa humbur kohë debatit për pjesën ende të padiskutuar të ndryshimeve kushtetuese që ka propozuar opozita, citon njoftimi për shtyp i selisë së PS. Ai shprehu keqardhje për përmbajtjen e njoftimit të Kryeministrisë mbi Berisha-Volonte. Duke iu referuar takimit të së premtes mes Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të PPE-së në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Luca Volonte, Rama theksoi se nuk është hera e parë që dëgjohen deklarata kundër PS nga e eksponentë të së djathtës europiane. Nuk është hera e parë që eksponentë të dorës së dytë të së djathtës europiane bëhen pjesë e fushatave denigruese ndaj opozitës shqiptare, krah për krah me Sali Berishën.

Rama me Lieberman
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pati një takim pune dje me zv.kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Avigdor Lieberman. Siç bën të ditur zyra e shtypit e selisë rozë, Rama falënderoi qeverinë e Izraelit dhe zotin Lieberman për kontributin e tij personal, në konkretizimin e vendimit të rëndësishëm për hapjen e Ambasadës së Izraelit në Tiranë. Ai e vlerësoi këtë si shenjë domethënëse të vullnetit për të zhvilluar më tej marrëdhëniet miqësore me interes të ndërsjellë midis të dy vendeve dhe popujve dhe si një materializim konkret të këtij interesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›