Bushati: Data 6 gusht nuk është afat i BE, e ka vendosur Berisha

Ditmir Bushati
Kreu i komisionit të Integrimit për imunitetet.
Kryetari i Komisionit të Integrimit në Kuvend, Ditmir Bushati, tha dje se data 6 gusht nuk është përcaktuar as nga ndërkombëtarët dhe nuk ka as konsensusin e PS, duke konfirmuar edhe njëherë se të majtët nuk do ta votojnë heqjen e imunitetit. Data 6 gusht nuk është afat i Brukselit dhe as datë konsensuale. Është thjesht një datë e përcaktuar në mënyrë të njëanshme nga Sali Berisha, tha ai. Bushati sqaroi se opozita nuk është kundër kufizimit të imunitetit, por kërkon që bashkë me të të votohen edhe disa ndryshime të tjera kushtetuese. Qëndrimet janë shumë të qarta: Nga njëra anë është qeveria shqiptare që kërkon të imponojë me forcë një datë për të kryer një votim të rëndësishëm, por që nuk adreson në themel problemet e korrupsionit endemik dhe shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët e lartë. E, nga ana tjetër, jemi ne, që jo vetëm kemi votuar pro për kufizimin e imunitetit, por që propozojmë edhe disa ndryshime të tjera kushtetuese në mënyrë që drejtësia të mos jetë më një mall i shtrenjtë që blihet në treg, tha Bushati. Sipas kryetarit të Komisionit të Integrimit, Parlamenti shqiptar i ka të gjitha mundësitë që krahas ndryshimeve kushtetuese që kufizojnë imunitetin, të votojë njëherazi edhe ato ndryshime kushtetuese që lidhen me emërimet në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Kufizimi i imunitetit dhe çrrënjosja e pandëshkueshmërisë kërkojnë institucione kushtetuese të pavarura e funksionale, sikundër një bashkëpunimin ndërinstitucional, u shpreh Bushati.