Topi i Arte Pirlo sfidon spanjollet

Iker Kasijas, Andres Iniesta dhe Andrea Pirlo. Sipas tyë përditshmes spanjolle, “AS”, do të jenë këta tre futbollistë finalistët e “Topit të Artë 2012”. E përditshmja madrilene ka përpiluar një klasifikim të sajin, duke marrë në konsideratë kriteret e përzgjedhjes nga gazetarët, por edhe trajnerët dhe kapitenët e ekipeve përfaqësuese nga e gjithë bota që kanë të drejtë vote.
“Kasijas, deri më sot i injoruar në mënyrë të padrejtë, - shkruante gazeta, - me pritjet e tij, jo vetëm që është tërheqësi i ‘Furisë së Kuqe’ drejt titullit të tretë në katër vjet, por gjatë këtij sezoni ka fituar edhe titullin kampion në La Liga me Realin e Madridit”.
Ndërkohë, sipas “AS”, “Iniesta është simboli i Spanjës dhe tashmë ka shansin të marrë atë që Lionel Mesi i mori në vitin 2010, kur ‘Don Andresit’ nuk i mjaftoi goli në finalen e Kupës së Botës”.
Në fund vjen organizatori italian, që deri më tani është cilësuar lojtari më i mirë i aktivitetit në Poloni dhe Ukrainë dhe ka qenë vendimtar në ecurinë e “axurrëve”. “AS” nënvijëzonte se sipas traditës, në vitet kur luhen Europiani apo Kupa e Botës, “Topi i Artë” fitohet nga futbollistët protagonistë në turnetë ndërkombëtarë.
Megjithatë, duke shqyrtuar listën e fituesve të çmimit nga “France Football”, e që tashmë përcaktohet edhe nga FIFA, protagonisti i fundit i Kampionatit Europian që fitoi trofeun është gjermani Matias Zamer në 1996-ën.
Në vitin 2000, kur Franca u shpall kampione, Zidan u rendit vetëm i dyti pas Luis Figos, në 2004-ën Greqia i surprizoi të gjithë, megjithatë mes tre finalistëve ishin Shevçenko, Deko e Ronaldinjo. Në fund, në 2008-ën, Spanja ishte kampione Europe, por “Topin e Artë” e mori Kristiano Ronaldo.
Rezultati në finalen e Euro 2012 pritet të jetë përcaktues. Gazeta “AS” shkruan me bindje se nëse Spanja do të triumfojë në Kiev, Iniesta është favorit për çmimin prestigjioz, duke qenë se është e vështirë që ai trofe të fitohet nga portieri Kasijas. Në fakt, në histori vetëm “gardiani” Jashin arriti të mposhtte konkurrentët në vitin 1963.