E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi inspekton luftanijen amerikane, në portin e Durrësit

Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes Gazmend inspektoi nga afër luftanijen amerikane “USS Nitze” të ankoruar në Portin e Durrësit. Kreu i shtetit vlerësoi ndihmën e dhënë nga aleatët amerikanë, për anëtarësimin në NATO. 

DURRES- Presidenti dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, dhe një sërë ushtarakësh të lartë shqiptarë u prit nga zv.ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Stiven Kristina dhe inspektoi nga afër Luftanijen amerikane “USS Nitze” të ankoruar në Portin e Durrësit.
Pas inspektimit të luftanijes “USS Nitze”, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bamir Topi, bisedoi me drejtuesit e luftanijes, ku u informua nga Komandanti Long lidhur me ecurinë e shkëmbimit të përvojave në fushën detare luftarake, me manovrat e ndryshme me anijet luftarake, operacionet për çminimin dhe shkatërrimin e minave detare, operacionet me helikopter etj.
Gjithashtu, kreu i shtetit vlerësoi ndihmën e dhënë nga aleatët amerikanë ndaj Shqipërisë në fushën e logjistikës, teknologjisë informative, armë-kontrollit, etj, si dhe shprehu bindjen se bashkëpunime të kësaj natyre duhet të shtohen dhe të konsolidohen më shumë në të ardhmen.
Topi theksoi me këtë rast se ky proces është tregues i qartë i bashkëpunimit të rëndësishëm që i ofrohet Shqipërisë nga vende me liri e demokraci të konsoliduar, dhe shprehu vlerësim e mirënjohje ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati me i madh qe po i jep vendit tonë dhe forcave të armatosura shqiptare për përmbushjen e ëndrrës integruese në Aleancën politiko-ushtarake të Atlantikut të Veriut. (e.n/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›