E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, garanci Berishës për vijimesine e bashkëpunimit



Kongresmenët dhe senatorët amerikan garantojnë kryeministrin Sali Berisha për vazhdimësinë e bashkëpunimit të administratës së re Obama me qeverinë shqiptare. Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Berisha takoi dje mbrojtësin e çështjes shqiptare, kongresmenin e njohur amerikan, Eliot Engel. Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti i Nju Jorkut, z. Engel, vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, modernizimit të administratës dhe veçanërisht rezultatet e këtyre reformave, si bazë për integrimin në NATO dhe BE.

Engel falënderoi gjithashtu Kryeministrin Berisha për partneritetin e shkëlqyer me SHBA-të në luftën kundër terrorizmit. Duke informuar mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, Kryeministri Berisha u ndal tek arritjet e reformave qeveritare, si dhe çështjet e anëtarësimit në NATO dhe BE.

Berisha theksoi sukseset në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si një nga hapat që garantuan përshpejtimin e proceseve integruese dhe që e nxorën Shqipërinë nga harta e nxirë e këtyre fenomeneve. Z. Berisha u ndal edhe në reformimin e thellë që pësoi administrata shqiptare në aspektin e elektronizimit të prokurimeve publike, regjistrimit elektronik të subjekteve tregtare etj. Lidhur me zgjedhjet parlamentare, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të procesit konsensual të miratimit të kuadrit ligjor për mbajtjen e tyre në 28 qershor, si dhe në veçanti në përpjekjet e qeverisë shqiptare për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Në këtë drejtim, ai e njohu kongresmenin Engel me hapat e bërë për sigurimin e një regjistri elektronik të popullsisë, shtypjen e kartave të reja të identitetit e pasaportave biometrike etj., elementë që garantojnë votime të ndershme. Gjatë qëndrimit në SHBA, Kryeministri Berisha, me ftesë të organizatorëve, senatorit Tom Coburn dhe kongresmenit Heath Shuler, mori pjesë në darkën e zgjeruar me senatorë dhe kongresmenë amerikanë. Ata siguruan Kryeministrin Sali Berisha për bashkëpunimin e vazhdueshëm të SHBA-së me qeverinë shqiptare, si dhe vlerësojnë progresin e reformave në Shqipëri. Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrit, gjatë darkës, një vend të veçantë iu kushtua Shqipërisë dhe reformave qeveritare. Në bashkëbisedimin me senatorë dhe kongresmenë, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të arritjeve të qeverisë në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, reformave ekonomike, modernizimit të sistemit të shërbimeve, investimeve etj. Sipas Kryeministrit: "Ishin pikërisht sukseset e këtyre reformave, të cilat garantuan përshpejtimin e procesit të integrimit në NATO dhe në BE". Duke u ndalur tek zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, z. Berisha tha: "Jo vetëm konsensusi politik ndërmjet mazhorancës dhe opozitës për hartimin e një kuadri ligjor modern, por mbi të gjitha edhe përpjekjet e shumta të qeverisë për sigurimin e infrastrukturës zgjedhore, si kartat e identitetit, regjistri elektronik i shtetasve etj., janë një bazë e sigurt për standardet e këtyre zgjedhjeve". Gjatë darkës ishin të pranishëm dhe ish-kandidati presidencial, senatori Sam Brownback nga Kansasi, senatorët John Thune nga Dakota e Veriut, Jim DeMint nga Karolina e Jugut, John Ensign nga Nevada etj., si dhe kongresmenët Mike Doyle, Trent Franks, Zach Wamp, Robert Aderholt etj. Gjatë qëndrimit në Nju Jork për Mëngjesin e Lutjeve, Kryeministri Berisha shoqërohet nga kryetari republikan, Fatmir Mediu. Ata ndodhen atje me ftesë të Komitetit Kongresional, që përbëhet nga 36 senatorë dhe anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së dhe nga anëtarët e Kongresit, Vernon J. Ehlers dhe Heath Shuler. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten ndodhet në Nju Jork për të marrë pjesë në Mëngjesin e 57-të Kombëtar të Lutjeve. Kjo ceremoni do të mbahet sot me datë 5 shkurt në Uashington D.C. Në këtë mëngjes kombëtar lutjesh marrin pjesë kongresmenë, senatorë, drejtues të Kongresit dhe administratës së Presidentit Barack Obama, si dhe liderë e të ftuar nga 160 vende të botës. Pjesëmarrësit në këtë ceremoni do t'i luten Zotit për të forcuar marrëdhëniet dhe për të çuar më tej frymën e bashkëpunimit dhe shpirtit të miqësisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›