E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi kërkon dënimin e krimeve të komunizmit dhe dëmshpërblimin e të persekutuarve



Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka kërkuar dënimin e krimeve të komunizmit dhe dëmshpërblimin material dhe moral të të dënuarve politikë të këtij regjimi. Këtë deklaratë presidenti e bëri gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë përkujtimore të Lëvizjes së Postribës, ku kreu i shtetit i dha kësaj komune Urdhrin “Nderi i Kombit”, në nderim të Kryengritjes Antikomuniste të Komunës së Postribës të 9 shtatorit të vitit 1946. Kjo lëvizje është cilësuar nga historianë si kryengritja e parë antikomuniste në të gjithë Europën Juglindore. Në vizitën e tij, në komunën e Postribës të rrethit të Shkodrës, presidenti Topi shoqërohej dhe nga kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë ceremoni Topi kërkoi rishikimin e historisë duke njohur kontributet reale të individëve që organizuan Lëvizjen e Postribës. Po kështu, kreu i shtetit u shpreh se shoqëria shqiptare nuk do të jetë e qetë deri në zbardhjen e plotë dhe dënimin e krimeve të komunizmit.
Deklarata
“Shoqëria shqiptare është dhe do të jetë moralisht jo e qetë për aq kohë sa nuk do të vihen në vend padrejtësitë e së kaluarës, për aq kohë sa të persekutuarit politikë të mos shpërblehen deri në fund moralisht e materialisht, për aq kohë sa nuk është bërë rikthimi i plotë i vlerave të tyre si vlera të patjetërsueshme të demokracisë. Dënimi i krimeve të komunizmit nuk duhet të mbetet pronë e retorikës politike, por duhet të merret me thelbin e problemit, pra me zbardhjen e këtij krimi dhe një akt i tillë do të pastronte dhe humanizonte më tej shoqërinë”, - është shprehur presidenti Topi, ndërsa ka kritikuar dhe vonesat e politikës në miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve të ish- bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit gjatë regjimit komunist. Ai gjithashtu shtoi se të gjithë të persekutuarit duhet të përkujtohen për veprën dhe kontributin e tyre dhe kjo, sipas tij, rrjedh dhe nga rezoluta e Këshillit të Europës. “Rezoluta e Këshillit të Europës, midis të tjerash, kërkon që për të gjithë të persekutuarit dhe familjet e tyre, që kanë sakrifikuar jetën dhe kanë vuajtur gjatë regjimit komunist, të kushtohet më tepër respekt e mirënjohje dhe të përkujtohen datat dhe ngjarjet e rëndësishme historike, që kanë lidhje me atë periudhë”, - ka theksuar kreu i shtetit, ndërsa ka mbështetur të drejtën e këtyre individëve për të fituar dëmshpërblimin e merituar moral dhe material. “Me cilësinë e Presidentit të Republikës, si simbol i unitetit të kombit, dëshiroj të shpreh fuqimisht mbështetjen time të palëkundur morale dhe institucionale për të gjitha viktimat e pafajshme të krimeve monstruoze të komunizmit, të cilat gjatë këtyre tetëmbëdhjetë vjetëve ende nuk janë dëmshpërblyer, rehabilituar dhe integruar ashtu siç meritojnë plotësisht në shoqërinë tonë demokratike”, - është shprehur presidenti Topi.
Topalli
Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se Kuvendi do të miratojë së shpejti projektligjin për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë, i cili synon largimin nga administrata shtetërore të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. “Unë besoj se brenda një periudhe shumë të shkurtër ne do të kalojmë ligjin, i cili do t’i japë shumë paqe shoqërisë. Ishte Sigurimi i Shtetit, gestapoja shqiptare, që i mori ata djem të rinj, i lidhi me hekura, i mori zvarrë rrugëve të Postribës dhe më pas i vendosi te muri i pushkatimit. Ne do ta bëjmë ligjin, sepse nuk mund të hyjmë në Europë pa pasur paqen. Natyrisht duhet t’i zbulojmë disa gjëra të rëndësishme, që duhet t’i themi, siç është dënimi i komunizmit, që është gjëja më e rëndësishme, pa u ndarë nga e kaluara dhe ne do ta bëjmë atë me ligjin e pastërtisë së figurave dhe do të bëjmë dhe shumë aktivitete të tjera”, - është shprehur Topalli. Ajo gjithashtu premtoi se brenda këtij mandati, në sallën e Parlamentit do të krijohet një muze i krimeve të komunizmit dhe një muze tjetër për ata që luftuan dhe ata që dhanë jetën për shpirtin e lirisë, për idealet e tyre perëndimore.

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›