Dypunësimi i pedagogëve, nisin përplasjet mes Ministrisë dhe universiteteve
Dypunësimi i pedagogëve sjell përplasje midis Ministrisë së Arsimit dhe drejtuesve të universiteteve publike. Ndërsa këta të fundit kanë vendosur ta lejojnë dypunësimim e pedagogëve vetëm me marrëveshje, ministri i Arsimit ka deklaruar se pedagogët janë të lirë të punojnë në universitetet private, pasi mbushin detyrimet në ato publike. Para pak ditësh rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, deklaroi se pedagogët do të lejohen të punojnë në shtet dhe privat vetëm nëse do të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit midis universiteteve.
Ndërkohë, pas kësaj deklarate dhe asaj të bërë nga ministri i Arsimit ka reaguar edhe kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kaçani, i cili ka theksuar se pedagogët që do të braktisin auditorët për të punuar në privat duhet të largohen nga puna. Sipas Kaçanit, pedagogët që punojnë në universitete publike do të jenë të lirë të punojnë dhe në ato private, vetëm në rast se nënshkruhen marrëveshje mes këtyre institucioneve. Kryetari i Konferencës së Rektorëve sqaron se stafi pedagogjik është i lirë të punojë, por duhet të vendosen disa kritere ligjore. Sipas ligjit për Arsimin e Lartë, çdo punonjës i universiteteve publike ka të drejtën e tij ligjore të punësohet në universitetet private. Kushti kryesor që përcaktohet në ligj për dypunësimin e pedagogëve është nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimi si dhe respektimi i ngarkesës mësimore që e lejon ligji, që është një ngarkesë mësimore prej 90 orësh. Ankesat e studentëve për braktisjen e auditorëve nga pedagogët për të dhënë mësim diku tjetër kanë qenë të vazhdueshme. Për këtë problem Kaçani sqaron se në raste të tilla kur ka ankesa me fakte nga studentët, pedagogëve duhet t’u hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit. Madje ai shprehet: “Nëse do të konstatojmë raste të tilla, që të lësh punën ose mësimin pa zhvilluar në universitetin ku je, dhe të shkosh në universitete, qoftë ky publik ose privat, unë do të isha i mendimit që ky punonjës i stafit akademik nuk do të gëzonte më të drejtën e punësimit në atë institucion, ku ai ka lënë mësimin dhe që merr rrogën”. Aktualisht, vetëm dy universitete private kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, që janë universiteti “UFO” dhe ai ”Kristal”.
9 Shtator 2008