E Diel, 1 Nëntor 2026

Indeksi i Forumit Ekonomik Botëror: Shqipëria jashtë 52 tregjeve më të zhvilluara

Organizata ndërkombëtare publikon indeksin e tregjeve financiare të qëndrueshme. Shqipëria mbetet jashtë liste. SHBA-të dhe Britania sfidojnë krizën

Albert Gjoka

Shqipëria mbetet jashtë listës së 52 vendeve më të zhvilluara financiarisht. Në një raport të publikuar dje nga Forumi Ekonomik Botëror për Indeksin e Zhvillimit Financiar Botëror për vitin 2008, sërish vendi ynë nuk ka arritur standardet për të qenë në grupin e 52 shteteve. Ky është anketimi që bëhet për herë të parë nga kjo organizatë ndërkombëtare, i cili vjen menjëherë pas alarmit për një krizë globale. Raporti ka renditur në krye të listës Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, të cilat duket se e kanë sfiduar gjendjen e vështirë në të cilat ndodhen tregjet ndërkombëtare.

Raporti

Për herë të parë Forumi Ekonomik Botëror, me qendër në Gjenevë, ka publikuar Indeksin për Zhvillimin Financiar. Ekspertët e kësaj organizate kanë listuar 52 vendet me tregjet më të qëndrueshme në të gjithë botën, ku kësaj radhe Shqipëria nuk është përfshirë në këtë grup vendesh. Për përllogaritjen e tregjeve më të stabilizuara janë marrë në studim këto parametra: mjedisi institucional, mjedisi i biznesit, stabiliteti financiar, bankat, institucionet jobankare, tregjet financiare dhe të dhënat për madhësinë e tyre, thellësinë dhe aksesin. Forumi që ka lançuar këtë indeks ka punuar me agjencitë partnere në vende të ndryshme të botës. Për herë të parë, Forumi Ekonomik Botëror e ka përjashtuar Shqipërinë në listën e 52 vendeve, ndonëse ka një agjenci që bashkëpunon në vendin tonë.

Renditja

Ndryshe nga sa mendohej, qoftë edhe për shkak të krizave të vazhdueshme financiare që po kalon bota, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe janë vendet me tregje më të stabilizuara financiarisht. Pas tyre, ekspertët e Forumit kanë renditur Gjermaninë, Japoninë, Kanadanë dhe Francën. Brenda listës së 10 tregjeve financiare më të zhvilluara janë Holanda, Zvicra, Hong Kongu dhe Singapori. Sipas listimit të bërë, brenda 52 vendeve më të qëndrueshme financiarisht janë edhe vendet e rajonit tonë si Turqia, apo vendet e anëtarësuara vitet e fundit në Bashkimin Europian, si Hungaria, Polonia, Çekia dhe Sllovakia (shih listën, - shën. red.) Specialistët e kësaj organizate ndërkombëtare nuk kanë përfshirë asnjë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në indeksin e parë të këtij Forumi nuk është përfshirë as vendi ynë, ndonëse ka partneritet me Institutin e Studimeve Bashkëkohore, përmes të cilit merr të dhëna për tregjet dhe zhvillimin ekonomik.
Forumi Ekonomik Botëror publikon një sërë raportesh vjetore qoftë për lirinë ekonomike, qoftë për parametrat e konkurrueshmërisë së tregjeve, risqeve etj. Edhe organizata, apo institucione të njohura financiare, përmes indekseve dhe raporteve të përvitshme kanë kritikuar parametrat e mjedisit të biznesit, lirisë ekonomike dhe konkurrueshmërisë së tregjeve. Banka Botërore, Organizata Botërore e Tregtisë, Freedom House, OECD, apo edhe organizma të tjerë vazhdojnë të konstatojnë probleme në menaxhimin e tregjeve dhe hartimin e politikave në dobi të sipërmarrjes dhe zhvillimit ekonomik në vend.

Indeksi vjetor për 2008-n i zhvillimit financiar

Ekonomia Renditja Pikët (kuota maksimale 7)
Vendi
Shtetet e Bashkuara 1 5.85
Britania e Madhe 2 5.83
Gjermania 3 5.28
Japonia 4 5.28
Kanadaja 5 5.26
Franca 6 5.25
Zvicra 7 5.23
Hong Kongu 8 5.23
Holanda 9 5.22
Singapori 10 5.15
Australia 11 4.98
Spanja 12 4.90
Suedia 13 4.75
Irlanda 14 4.72
Norvegjia 15 4.66
Emiratet e Bashkuara 16 4.61
Belgjika 17 4.56
Austria 18 4.55
Koreja e Jugut 19 4.55
Malajzia 20 4.48
Finlanda 21 4.45
Italia 22 4.38
Izraeli 23 4.14
Kina 24 4.09
Afrika e Jugut 25 4.00
Kuvajti 26 3.93
Arabia Saudite 27 3.90
Bahrein 28 3.89
Tailanda 29 3.82
Kili 30 3.79
India 31 3.63
Panamaja 32 3.61
Hungaria 33 3.53
Pakistani 34 3.46
Çekia 35 3.43
Rusia 36 3.40
Egjipti 37 3.32
Indonezia 38 3.31
Turqia 39 3.30
Brazili 40 3.28
Polonia 41 3.27
Sllovakia 42 3.25
Meksika 43 3.21
Kolumbia 44 3.21
Kazakistani 45 3.13
Peruja 46 3.06
Argjentina 47 3.04
Filipinet 48 3.03
Vietnami 49 3.03
Nigeria 50 2.76
Ukraina 51 2.73
Venezuela 52 2.71

Ministria e Ekonomisë nis marrjen e masave për parandalimin e avarive në miniera

Reparti i Inspektim-Shpëtimit në Miniera, si njësi ekzekutive, teknike e specializuar, që ushtron kontroll teknik në veprimtarinë minerare, me qëllim sigurimin e jetës dhe shëndetit të punonjësve, parandalimin e aksidenteve në punë, si dhe ndërhyrjen emergjente për shpëtimin e jetës dhe të vlerave materiale në rast avarie, konstaton me keqardhje se është rritur numri i ngjarjeve të pazakonta të ndodhura gjatë hapjes së puseve të ujit apo punimeve të tjera nëntokësore nga persona të paspecializuar për kryerjen e këtyre punimeve. Këto ngjarje kanë ndodhur si pasojë e: 1) Shembjeve të faqeve apo grykave të punimeve që hapen. 2) Pranisë së gazeve helmues apo mbytës që çlirohen nga shtresat e tokës ose nga makineritë gjatë hapjes së punimeve. 3) Moszbatimit të Rregullave të Sigurimit Teknik gjatë punës me makineritë e pajisjet etj.
Me qëllim parandalimin e rasteve të jashtëzakonshme gjatë kryerjes së këtyre punimeve, “RISHM” ju sjell në vëmendje se kryerja e këtyre punimeve duhet të bëhet vetëm nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e specialistëve minerarë. Në këtë drejtim “RISHM” ofron shërbim të specializuar me specialistë të fushës dhe aparatura e pajisje bashkëkohore, për: 1) Monitorimin (matjen e përqendrimit të gazeve) në atmosferën e punimeve. 2) Ajrim artificial dhe armatim të punimeve që hapen. 3) Ndërhyrje emergjente për shpëtimin e jetës së punonjësve, në rast avarish të mundshme.

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›