QSUT, emërohen dy nëndrejtorët e rinj
Jonida Tashi
Me afrimin e ditës së parë të shkollës në arsimin parauniversitar kanë nisur procedurat e para për transferimin e mësuesve. Llogaritjet e orëve mësimore për çdo mësues në gjimnaz kanë nisur dhe kush do të ngelet pa orë mësimi duhet detyrimisht të largohet për në shkollat nëntëvjeçare. Mësohet se nga ndryshimi i sistemit 17 mësues matematike kanë dalë tepër në shkollat e mesme të kryeqytetit. Ndërkohë që këtij numri pritet t’i shtohen edhe mësues të lëndëve të tjera.
Mbledhja
Dje, në të gjitha gjimnazet e Tiranës, është bërë një mbledhje nga drejtuesit me mësuesit për të parë punën e secilit prej tyre në çdo shkollë si dhe për t’i informuar ata për orët mësimore që duhet të kryenin për vitin e ri mësimor. Në këto mbledhje mësuesit janë njoftuar vetëm për orët e mësimit për lëndët që jepnin dhe nuk iu është komunikuar asnjë informacion tjetër në lidhje me transferimet. Mësohet se pas mbledhjeve në çdo shkollë, drejtuesit e tyre kanë pasur një mbledhje tjetër në Drejtorinë Arsimore, pikërisht për këtë çështje. Burime të besueshme bëjnë të ditur se kuadri i mësuesve se kush do të qëndrojë në gjimnaz dhe se kush do të largohet nuk është përcaktuar ende. Pas ndryshimit të arsimit të mesëm nga katër në trevjeçar numri i orëve mësimore për pjesën më të madhe të mësuesve ka pësuar rënie. “Shumë keq i kam orët. Tani një lëndë më del me 10 orë, sa gjysma e orëve”, - shprehet një arsimtare, e cila është tepër e frikësuar nga transferimi, edhe pse ka dalë me rezultate të mira në punë. Pavarësisht se nga institucionet përgjegjëse është deklaruar se transferimi i mësuesve nga gjimnazet për në shkollat 9-vjeçare nuk do të rrezikojë vendin e punës së tyre, tek arsimtarët ky rrezik është i pranishëm.
Transferimet
Emrat e mësuesve që do të lënë gjimnazet e Tiranës për të dhënë mësim në shkollat 9-vjeçare do të mësohen së shpejti. Kalimi nga puna si mësues në gjimnaz në shkollë 9-vjeçare do të bëjë që një pjesë e stafit pedagogjik të gjimnazeve të Tiranës të “ulet në gradë”. Mësuesit që do të detyrohen të braktisin klasat e tyre të gjimnazeve nuk do të përfitojnë më as të njëjtën pagë mujore si më parë. Shpërblimi i tyre pas kalimit në shkollat 9-vjeçare do të jetë në përputhje me sistemin ku do të punojnë. Gjithsesi, kriteret për të “përzgjedhur” ata që duhet të lënë vendet e tyre si mësues në gjimnaze janë përgatitur. Paraqitja në punë është pika e parë dhe më kryesorja që do të konsiderohet nga ana e grupit të specialistëve në Drejtorinë Arsimore të Tiranës. Inspektorët e Drejtorisë Arsimore kanë testuar punën e çdo mësuesi, ndërsa nuk kanë munguar as vlerësimet e përgjithshme. Aktualisht po vazhdon puna për transferimin e mësuesve dhe ende nuk ka numra të saktë të mësuesve që do të lëvizin. Ndërkohë që transferimi i tyre do të bëhet në përputhje me lëndët. Pra, në shkollat 9-vjeçare, ku ka më tepër nevojë për mësues matematike, largohen nga gjimnazi këta të fundit e kështu me radhë. Ndërsa shpërndarja e mësuesve do të bëhet sipas kërkesave të drejtorive të shkollave për staf pedagogjik.
Çelet shkolla shqiptaro-austriake në Shkodër, diplomat do të njihen në BE
Çelet shkolla shqiptaro-austriake “Peter Mahringer” në Shkodër, diplomat e së cilës do të njihen edhe në Bashkimin Europian. Nxënësit e shkollës “Peter Mahringer” kanë kryer dje orën e parë të mësimit. Për të inauguruar godinën e shkollës dhe fillimin e mësimit, ishin të pranishëm në ceremoni kryeministri i vendit, Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zëvendëskryeministri, Genc Pollo, ministrat e Arsimit të dyja vendeve, Claudia Schimdt dhe Fatos Beja, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, deputetë, zyrtarë arsimorë etj. Diplomimi i të rinjve nga kjo shkollë do të thotë më shumë specialistë të kualifikuar për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, përmbushje të Master-Planit për TIK - shkolla të lançuara nga MASH-i dhe qeveria në dhjetor të vitit 2005. Për të mundësuar një pjesëmarrje të suksesshme në procesin mësimor, vitin e kaluar këta nxënës i janë nënshtruar një kursi parapërgatitor gjatë të cilit, krahas disa lëndëve të tjera, është zhvilluar edhe mësimi i gjuhës gjermane.
Kreditë që ofrohen për studentët nga Alpha Bank-Albania
Me fillimin e vitit të ri akademik, Alpha Bank-Albania ofron kredi për studentët dhe për të gjithë ata që do të ndjekin studimet universitare ose pasuniversitare. “Alpha Kredi për Studentët” është një kredi e re konsumatore e ofruar nga Alpha Bank-Albania, që i drejtohet të gjithë studentëve të arsimit të lartë universitar, pasuniversitar dhe atyre që studiojnë për doktoraturën, qofshin këto studime me kohë të plotë, ose të pjesshme. Me anë të kësaj kredie, studentët mund të mbulojnë të gjitha shpenzimet e studimit, por edhe ato të akomodimit. “Alpha Kredi për Studentët” ofron gjithashtu: Kredi me shumë minimale në vlerën 1.000 euro ose ekuivalentimin në lekë dhe me shumë maksimale 15.000 euro për studentët e arsimit të lartë ose 20.000 euro për pasuniversitarët; Mundësi pagimi deri në 5 vjet, nëse kolaterali mungon dhe deri në 10 vjet kur kredia juaj është e siguruar me kolateral ose garanci hipotekore; mundësi zgjedhjeje midis normave të interesit fikse ose të ndryshueshme në euro, lek ose usd; Pajisje me depozitë studentore me norma interesi konkurruese. Të interesuarit për më shumë informacion mbi “Alpha Kredi për Studentët” mund të vizitojnë një nga degët e kësaj banke në të gjithë vendin ose të telefonojnë në: 04 224 0477. Nëse aplikoni kredia juaj do të aprovohet brenda pesë ditëve.
QSUT, emërohen dy nëndrejtorët e rinj
Emërohen dy nëndrejtorët e rinj në QSUT-së, ku faza e shkarkimeve dhe emërimeve të reja në administratë nuk ka përfunduar ende. Paraditen e djeshme, drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, zyrtarizoi dy emrat e rinj të nëndrejtorëve në QSUT. Emrat më të rinj në administratë janë Arjel Çomo dhe Doktori i Shkencave Xheladin Draçini. Ndërkohë që reforma pritet të vazhdojë, ku do të preken punonjës të tjerë të administratës, të cilët janë marrë në punë nga ish-drejtori i QSUT-së, Mati Pepa. Vala e shkarkimeve do të vazhdojë në ditët e ardhshme, ku drejtoresha Kuli ka hartuar një program të ri të detajuar për organikën e re të administratës në këtë drejtori. Ajo që dihet deri tani është se numri i personave që do të punojnë në këtë qendër spitalore do të jetë i njëjtë, por emrat e punonjësve do të ndryshojnë.
Vdekshmëria foshnjore në vend, më e larta në Europë
Vdekshmëria foshnjore në vendin tonë është më e larta se në të gjithë vendet e Europës dhe mbi normat e lejuara nga BE-ja. Agjencia e lajmeve “Rojter” ka publikuar një studim që përcakton vdekshmërinë foshnjore në vendin tonë, rezultatet e të cilës kanë rezultuar mjaft të larta. Raporti përcakton se në çdo 1000 lindje vdesin 18 foshnje. Arsyet janë nga më të ndryshmet, por ndër kryesoret renditen mungesa e informacionit për nënat, niveli i ulët i edukimit të nënave, mungesa e trajtimit nga personel mjekësor profesional në zonat rurale, mundësi e ulët financiare etj. Këto janë disa çështje që Mike O’Brian, menaxheri i projektit për shëndetin në vendin tonë ka renditur si çështje kryesore të këtij fenomeni. Vdekshmëria më e madhe është renditur në zonat rurale, ku mungesa e bluzave të bardha në qendrat shëndetësore është nën normat e lejuara. Ndërsa zonat urbane janë më pak të prekura nga ky fenomen, pasi mundësitë e kujdesit shëndetësor dhe marrjes së informacionit nga nënat janë më të larta.
9 Shtator 2008