E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi Ajror Shqiptar, brenda muajit gati projektligji për diskutim në qeveri



Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, brenda muajit shtator do të dërgojë për miratim në Këshillin e Ministrave projektligjin “Për kodin ajror”. Sipas burimeve zyrtare të këtij dikasteri, tashmë ka përfunduar konsultimi me grupet e interesit dhe brenda pak ditësh ky projektligj do të shkojë për miratim në qeveri. Burimet e mësipërme thanë se hartimi i projektligjit për kodin ajror, instrumenti ligjor bazë me të cilin do të normohet transporti ajror në Republikën e Shqipërisë, është edhe një nga objektivat, që lidhen dhe me programin e stabilizim-asocimit, në përputhje me direktivat e BE-së, duke marrë parasysh Hapësirën e Përbashkët Europiane të Aviacionit (ECAA).
Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” regjistroi në gjashtë muajt e parë një numër prej 540.585 pasagjerësh, me një rritje prej 19 për qind, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa numri i destinacioneve direkte u rrit me 33, numri i fluturimeve u rrit 10 për qind, krahasuar me vitin 2007. Si rezultat i rritjes mbi parashikimin të transportit ajror, në përputhje edhe me ligjin e koncesionit të Aeroportit të Rinasit, në qershor ka nisur puna për zgjerimin e terminalit të aeroportit, një investim prej 20 milionë euro. Në territorin e vendit ka 8 fusha të aviacionit civil, shumica me pistë të paasfaltuar.

BSH-ja përfundon trajnimin për edukimin ekonomiko-financiar të mësuesve në Vlorë

Banka e Shqipërisë ka shtuar përpjekjet e saj në drejtim të rritjes së “kulturës ekonomike” të publikut shqiptar, nëpërmjet një komunikimi ndëraktiv dhe të drejtpërdrejtë me grupe të ndryshme të shoqërisë shqiptare. Rritja e kulturës ekonomike është parë nga Banka e Shqipërisë si një mundësi për të krijuar një “ambient” që percepton dhe kupton vendimet e marra prej saj, duke ndikuar njëkohësisht edhe në përmirësimin e mekanizmave të transmetimit të politikës monetare në ekonomi. Në këtë kuadër, programi i edukimit të Bankës së Shqipërisë “Banka Qendrore në jetën e përditshme” tashmë ka gjetur shtrirje edhe në qytetin e Vlorës. Aktivitetet e këtij programi përfshijnë disa faza: trajnime për mësuesit e shkollave të mesme, takime me nxënësit e shkollave të mesme, shpërndarja e broshurave edukative në shkolla si dhe zhvillimi i konkursit “Vlera e vërtetë e parasë” midis shkollave të mesme të këtij qyteti, që synon të zgjerojë njohuritë e të rinjve mbi politikën monetare të Bankës Qendrore.

Çmimi i naftës zbret në 105 dollarë në bursat ndërkombëtare

Çmimi i naftës vazhdon të ulet në të gjitha bursat ndërkombëtare përsëri, duke shënuar kështu një lehtësim të vazhdueshëm për ekonominë botërore. Kështu çmimi i naftës bruto, ka vijuar edhe dje rënien në tregun elektronik të këmbimit në Nju Jork, sipas agjencisë italiane të lajmeve “ANSA”. Në bazë të të dhënave të fundit, një fuçi nafte është shkëmbyer në këtë treg me 104,98 dollarë (-1,3%). Ndërkohë në shkëmbimet e para të valutës, dollari amerikan ka vijuar të forcohet kundrejt euros, duke e çuar atë nën kuotën e 1,41 në shkëmbimet e para në tregun e valutave, sipas agjencisë “ANSA”. Monedha e bashkuar evropiane është shkëmbyer me 1,4091 dollarë (kundrejt 1,4214 që ishte dje), duke humbur terren edhe në shkëmbimet me jenin në kuotën e 151,57 (kundrejt 154,42 që ishte dje kursi i Bankës Qendrore Europiane). Ndërsa në Shqipëri, në Agjencitë e Këmbimit Valutor dje një dollar u ble me 86,2 lekë dhe u shit me 86,7 lekë, ndërsa një euro u ble me 121,8 lekë dhe u shit me 122,4 lekë.

10 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›