E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi kërkon nga Katari ndihmë për njohjet e Kosovës

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit shqiptar, vuri në dukje "marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore që ekzistojnë mes dy vendeve tona, duke theksuar dëshirën e vullnetin maksimal për nxitjen e bashkëpunimit të frytshëm dypalësh në fushën politike, ekonomike e tregtare, infrastrukturore e energjetike, arsimore e shëndetësore, për t’i shërbyer forcimit dhe thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve e popujve tanë".

Në këtë takim Presidenti Topi shprehu mirënjohjen në emër të shtetit për donacionet personale të Emirit në vendin tonë siç ishte rasti pas tragjedisë së Gërdecit apo për rindërtimin e Sheshit "Skënderbej" në Tiranë si dhe për ndihmesën financiare të Fondit Kuvajtian për Zhvillim. Presidenti Topi e ftoi Emirin e Shtetit të Kuvajtit për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesa e cila u pranua me kënaqësi dhe mbetet për t’u zhvilluar në një kohë të përshtatshme.

Gjithashtu, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e fuqizimit të klimës dhe marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet arabe, e konkretisht me Shtetin e Kuvajtit, duke shprehur me këtë rast bindjen për vijueshmërinë e forcimin e kontakteve dypalëshe, si kontribuuese konkrete të zgjerimit e forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve e popujve tanë. Duke theksuar nevojën e rritjes së numrit të shteteve që do të njohin pavarësinë e Kosovës, Presidenti Topi nënvizoi besimin se Shteti i Kuvajtit do të ushtrojë influencën e vet tek vendet e tjera arabe për ta zmadhuar hartën e njohjeve të reja të shtetit multietnik, sovran e demokratik të Kosovës.

Gjithashtu, Topi zhvilloi edhe një takim me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, Ahmad Al-Sadoun, ku është nënvizuar mbështetja reciproke në mjaft drejtime dhe bashkëpunim intensiv edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Në këtë pikë Presidenti Topi, pasi shprehu mirënjohjen për njohjen nga ana e Shtetit të Kuvajtit të pavarësisë së Kosovës duke theksuar se "do të promovojmë së bashku vazhdimin e njohjeve të reja edhe nga vende të tjera", mori garancitë e Kryetarit të Asamblesë Kombëtare, Al-Sadoun se: "Kuvajti do të planifikojë dhe nxisë Komisionin parlamentar për të punuar sa më shumë në drejtim të rritjes së numrit të vendeve që do ta njohin shtetin e ri multietnik, por të ngritur mbi bazën e standardeve bashkëkohore të Kosovës". /Start/

                                                                                             2012-05-28 08:20
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›