E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli dorëzon raportin: Motivet pse nuk hiqen vizat nga BE-ja me Shqipërinë

Komisioni Europian publikoi raportin monitorues në kuadër të regjimit të vizave. Pikat e vlerësimit të misionit të ekspertëve, që ishin në Tiranë disa javë më parë

Komisioni Europian ka prerë ëndrrat e shqiptarëve për të lëvizur pa viza në shtetet anëtare të BE-së për shkak të mosrealizimit të reformave. Dje është dorëzuar zyrtarisht te qeveria e Tiranës raporti i vlerësimit, i përgatitur nga grupi monitorues që ishte para pak kohësh në vendin tonë. Në katër fushat kryesore; siguria e dokumenteve të identitetit, rendi dhe siguria publike, menaxhimi i kufijve dhe emigracioni, si dhe të drejtat e minoriteteve, qeveria “Berisha” nuk ka arritur që t’i bindë ekspertët e Komisionit Europian. Në secilën prej tyre vendi ynë vlerësohet se “nuk ka realizuar plotësisht kushtet sipas udhëzuesit (roadmap) për liberalizimin e vizave. Vendimi negativ i BE-së për maxhorancën aktuale vjen pikërisht në momentin kur zoti Berisha dhe ministri i Jashtëm kanë deklaruar publikisht, në prag të fushatës zgjedhore, se në fillimin e vitit 2010 shqiptarët do të mund të lëvizin drejt zonës “Shengen” pa pasur nevojë për vizë.
Monitorimi
Megjithëse qeveria shqiptare ka nisur prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të identitetit, ky proces nuk ka marrë vlerësime për shkak të vonesave në fillimin e tij. Ekipi monitorues ka përmendur vetëm shpërndarjen e 270 mijë kartave të identitetit dhe 4975 pasaportave biometrike deri më datë 7 maj. Sipas raportuesve, shpërndarja e pasaportave të reja do të nisë në shkallë të gjerë vetëm pas zgjedhjeve. Ekspertët e Brukselit pohojnë se duhet të krijohen struktura ligjore dhe të nxitet nxjerrja jashtë përdorimit e pasaportave të vjetra dhe marrja e dokumenteve të reja nga qytetarët. Në vlerësimin e fundit për menaxhimin e kufijve thuhet se duhet të garantohet zbatimi efektiv i Ligjit të Kontrollit dhe Menaxhimit të Kufirit Shtetëror. Sipas tij, edhe Strategjia Kombëtare për Emigracionin nuk është efektive përsa u përket çështjeve të menaxhimit të kufijve. Në raport theksohet domosdoshmëria e bashkëpunimit mes institucioneve dhe agjencive të ndryshme që operojnë në këtë sektor. Vendosja e sistemeve të vëzhgimit në pikat kufitare, pajisja e patrullave me mjete moderne për kryerjen e shërbimit, sidomos në kufijtë detarë dhe liqenorë, janë disa ndër mangësitë e konstatuara. Në lidhje me azilimin, hapat e ndërmarrë nga qeveria janë vlerësuar pozitivisht, ndonëse numri i personave që kanë marrë strehim në vendin tonë është shumë i vogël, (15 të tillë) krahasuar me kapacitetin prej 120 personash që ka qendra në Babrru. Edhe për menaxhimin e migracionit ka vlerësime pozitive.
Rendi publik dhe siguria
“Zbatimi i strategjive kryesore mbetet sfidë dhe mbi të gjitha plani i veprimit që ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar, strategjia pastrimit të parave dhe plani i veprimit që nuk ka nisur ende zbatimin”, - thotë raporti. Sipas tij, veprimet policore janë reaguese dhe fragmentare, por pajisjet inteligjente antikrim mbeten të dobëta. Edhe bashkëpunimi i agjencive është jo i plotë, ndërsa kapacitetet investiguese janë pengesë për zbatimin efektiv të ligjit. Ekspertët pohojnë se duhet të forcohet edhe bashkëpunimi në nivel ndërkombëtar. Ndër mangësitë e konstatuara është edhe mungesa e të dhënave të qarta në lidhje me përdorimin e teknikave speciale të investigimit dhe rezultateve të arritura. Përfundimisht, raporti thotë se “Shqipëria ka bërë përparime në sektorin e rendit publik dhe sigurisë, por nuk ka plotësuar akoma të gjitha kushtet e këtij kapitulli”.
Standardi i realizuar
Ndër pikat e realizuara në kuadër të udhëzimeve për liberalizimin e vizave është vetëm zbatimi i të drejtave themelore të njeriut. “Shqipëria ka ecur në rrugë të drejt në realizimin e kushteve të këtij kapitulli”, - thotë raporti i vlerësimit. Por, ai thekson se Parlamenti duhet të miratojë një ligj të veçantë për mbrojtjen nga diskriminimi. Sipas ekspertëve, nuk ka raste të regjistruara apo të raportuara të diskriminimit. Po ashtu, nuk ka raste të dhunës shtetërore, që realizohet mbi motivet etnike.
Vlerësimi më i fundit i Komisionit Europian për reformat në katër drejtimet kryesore ka ndëshkuar qeverinë e Tiranës, e cila ndodhet në prag të fushatës dhe shpreson për një mandat të dytë, duke iu premtuar shqiptarëve lëvizje të lirë në Europë.

SISTEMI i VLERËSIMIT PËR SHTETET E RAJONIT

Maqedonia realizon kushtet 1 pikë

Mali i Zi realizon shumicën e kushteve 1.75 pikë

Serbia realizon shumicën e kushteve 1.75 pikë

Shqipëria nuk realizon kushtet 3 pikë

Bosnja nuk realizon kushtet 3 pikë

Kosova nuk është e përfshirë në monitorim -

Bushati: “Raporti konfirmon dështimet e qeverisë ‘Berisha’”

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Ditmir Bushati, e ka komentuar raportin e Komisionit Europian në një konferencë të zhvilluar përpara selisë së Ministrisë së Jashtme. Bushati tha se ky raport konfirmon qartë dështimet e qeverisë “Berisha” për përmbushjen e standardeve të kërkuara. “Qeveria e Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me pajisjen e qytetarëve shqiptarë me kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike.
Qeveria e Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm, ripranimin dhe menaxhimin e integruar të kufijve. Qeveria e Berishës ka dështuar plotësisht në përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, kryesisht në lidhje me mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe komunitetit rom”, - tha Bushati. Ai shtoi se qeveria e ardhshme socialiste e pas 28 qershorit do të realizojë liberalizimin e vizave.

Meta: “Raporti godet mënyrën klienteliste me të cilën është mësuar të punojë Berisha”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar se raporti i Komisionit Europian është një goditje e qartë ndaj mënyrës klienteliste me të cilën është mësuar të punojë kryeministri Berisha. Meta tha se Bashkimi Europian kërkon standarde dhe jo lobingje politike, apo promovim interesash korruptive. “Edhe për çështjen e liberalizimit të vizave standardet që duhen plotësuar janë paralajmëruar me kohë. Nuk ka goditje më të qartë për mënyrën klienteliste, se si është mësuar të punojë Berisha, sesa përgjigjja e Bashkimit Europian, që është çështje standardesh dhe jo çështje lobingjesh politike apo promovim interesash korruptive, sikurse nuk kanë munguar rastet e tilla elemente edhe të komunitetit ndërkombëtar”, - tha Meta. Ai deklaroi se qeverisja e ardhshme e LSI-së do të plotësojë të gjitha standardet për të garantuar liberalizimin e plotë të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Vizat, premtimi kryesor i qeverisë “Berisha” në këto zgjedhje

Lëvizja pa viza në shtetet anëtare të BE-së mbetet një ndër pikat më të forta të maxhorancës në fushatën zgjedhore. Vetë kryeministri Berisha ka deklaruar se në fillimin e vitit 2010 shtetasit e këtij vendi mund të lëvizin lirshëm në zonën e Shengenit. Ai e ka deklaruar në shumicën dërrmuese të takimeve elektorale të kohëve të fundit. Pak kohë më parë ishte në Tiranë komisioneri për Çështjet e Brendshme dhe të Drejtësisë, Zhak Barrot, njëherësh edhe zëvendëspresident i Komisionit Europian. Ai bëri të ditur 6 kushtet e kërkuara nga BE-ja në këmbim të lehtësimit të regjimit të vizave. Në marrëveshjen e firmosur nga vendi ynë me Brukselin, më 1 janar 2008 janë përcaktuar 5 standarde, të ndara në 42 pika. Edhe në takimin e Këshillit të Stabilizim – Asocimit, mbajtur disa ditë më parë, kërkohej nga Shqipëria që të realizoheshin të gjitha pikat e shtruara në këtë marrëveshje. Reformat në Drejtësi, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, menaxhimi i integruar i kufijve, shpërndarja e dokumenteve të reja të identitetit, respektimi i të drejtave të njeriut, janë disa ndër kërkesat e parashtruara nga Brukseli.

27 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›