Likuiditeti, bankat politikë “agresive” për grumbullim depozitash
Konkurrenca për të siguruar likuiditete i ka çuar bankat e nivelit të dytë në një marketing agresiv që po prezanton çdo ditë e më shumë norma të larta interesi për depozitat. Tashmë të gjithë qytetarët janë në dijeni të spoteve televizive ku bankat prezantojnë paketa me interesa të favorshme për depozitat që shkojnë nga 5 deri në 15 për qind, për monedha të ndryshme. Ekspertët në bankat e nivelit të dytë shpjegojnë disa arsye që i kanë çuar bankat në këtë lloj marketingu. E para është mungesa e likuiditetit dhe bankat duke ofruar interesa të larta mendojnë se mund të thithin më shumë klientë, e për rrjedhojë më shumë vlerë monetare. Në dhjetor një pjesë e konsiderueshme e depozitave dolën nga bankat për shkak të një paniku që patën klientët nga kriza ndërkombëtare, e cila mund të ndikonte negativisht edhe në sistemin tonë bankar. Për të qetësuar depozituesit është miratuar edhe një ligj i ri që garanton 25 mijë euro kursime në një bankë. Bankat në vendin tonë gjithnjë e më shumë po i shohin emigrantët si një grup me mjaft fitimin për aktivitetin e tyre. Ndaj dhe në sezonet kur shqiptarët që jetojnë jashtë kthehen në Shqipëri, bankat nisin ofertat joshëse. Në muajt qershor, korrik, dhjetor dhe janar promocionet e bankave janë të përqendruara thellësisht tek emigrantët. Ofertat joshëse të bankave kanë bërë shumë nga emigrantët t'i ruajnë kursimet e tyre në Shqipëri për shkak se, interesi i depozitave që ofrohet është disa herë më i lartë se, i vendeve nga ato vijnë. Ndërsa të tjerë emigrante janë nxitur që kursimet e tyre ti investojnë në blerje shtëpish ose pasurish të tjera të paluajtshme. Mirëpo këtë verë për shkak të krizës globale pritet që emigrantët të sjellin më pak kursime. Por bankat kanë nisur gjithsesi promocionin e interesave të larta në pritje të asaj shume që do të sjellin emigrantët e cila sa do që të jetë është e domosdoshme për aktivitetin e tyre.
Ministria e Energjetikës: Centrali nuklear, gati vetëm pas vitit 2025
Krijimi në vendin tonë i një centrali atomik për prodhimin e energjisë, kërkon disa rregullime ligjore, më shumë ekspertizë, kosto dhe garanci të mëdha, të cilat aktualisht qeveria shqiptare nuk i ka. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës pohojnë se vetëm përgatitja e kuadrit ligjor dhe funksionimi i Entit Rregullator të posaçëm për centralin nuklear kërkon të paktën 6-7 vjet. Brenda kësaj periudhe përfshihet inspektimi i zonës ku do të ndërtohet centrali. Vendi do të zgjidhet nga ekspertët e Agjencisë së Energjisë Atomike, me seli në Vjenë. Pengesa tjetër lidhet me gjetjen e financuesit, pasi centralët me lëndë të parë uranium kërkojnë fonde që shkojnë deri 2-3 miliardë dollarë. Nëse qeveria do të niste zyrtarisht punën për ngritjen centralit nuklear, projekti do të ishe gati vetëm pas vitit 2025. Tjetër çështje jo pak e rëndësishme lidhet me brezin aktual të centralëve atomikë, të cilëve po iu mbaron koha dhe se pritet gjenerimi i brezit të 4. Pra, edhe kjo kërkon kohë të nevojshme, që detyron qeverinë të presë shumë. Lidhur me çështjen e ndërtimit të centralit nuklear pranë liqenit të Shkodrës, në bashkëpunim me qeverinë kroate, Ministria e Ekonomisë e rrëzon sërish një variant të tillë. Pak kohë më parë, qeveria shqiptare i ishte afruar një marrëveshjeje me palën italiane, nga ku u përfol që një kompani e njohur kishte nisur negociatat me palën tonë, madje ishte bërë gati projekti dhe zona ku do të ndërtohej. Presioni i vazhdueshëm i opinionit italian për qeverinë e tij detyroi fqinjët përtej Adriatikut të tërhiqeshin dhe për të rivlerësuar mundësinë e ndërtimit të centralit në vendin e tyre.
Një grup sipërmarrësish italianë propozojnë bashkëpunim me biznesin shqiptar
Një grup sipërmarrësish italianë nga rajoni i Lombardisë, i kryesuar nga “PROMOS Milano”, do të zhvillojë një vizitë tre ditore në Tiranë, nga data 27-29 Maj. Vizita e biznesmenëve lombarde në Shqipëri organizohet nga Instituti Italian për Tregtinë e Jashtme, në bashkëpunim me Zyrën Tregtare të Ambasadës Italiane në Shqipëri. “PROMOS Milano” është ndërmarrja e posaçme e Dhomës së Tregtisë të Milanos që operon në mbështetje të procesit të ndërkombëtarizimit të firmave të vogla e të mesme (SME-ve). Në përbërje të delegacionit italian do të jenë përfaqësues të shoqërive “MIDAC Srl”, prodhuese e detergjenteve, “ERG RENEW Spa”, prodhuese e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, e cila operon gjithashtu në trajtimin dhe eliminimin e mbeturinave, “PJELE COSTRUZIONI Srl”, e cila operon në sektorin e ndërtimeve rezidenciale, industriale, tregtare, në sektorin e punëve publike, në arredimin urban etj., “SORGENIA Spa”, prodhuese e energjisë nga burime të rinovueshme; “GEA. SISTE - IDRO.GEA Srl”, e cila operon në sektorin e ndërtimeve rezidenciale, tregtare, në sektorin e punëve publike, etj., “IDRODEPURAZIONE Srl”, e cila operon në fushën e pastrimit të ujërave të zeza, në përpunimin e mbeturinave agro-ushqimore, në mbledhjen e depurimin e ujit të shiut etj, “BLUMINIPOWER Srl”, prodhuese e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme.
27 Maj 2009