E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Skam parë kurrë kaq optimizëm tek deputetët e mi. Opozita u kthye në rrugë normale

Kryeministri Sali Berisha e nisi takimin me deputetët për këtë sezon të ri, duke u dhënë dorën secilit e duke u kujdesur që kamerat të filmojnë këtë moment. Kurrë nuk kam ndjerë kaq energji, entuziazëm e optimizëm sa në këtë takim. Këto dy vite do jenë vitet e kurorëzimit të të gjitha reformave, në mënyrë që 2013-ta të hapë horizontin e ri për këtë mazhorancë, tha Berisha pas takimeve me deputetët, të cilët e kanë duartrokitur liderin e tyre.

Ne hapim këtë shtator siparin e një serie reformash të gjithanshme. Ne do shënojmë një progres të paprecedent në misionin tonë të madh Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017. Ne do bëjmë gjithçka që është në dorë të kësaj mazhorance për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian. Asgjë nuk mund të lëkundë përkushtimin besimin tonë në projektin e integrimit të vendit. Nuk është vetëm Brukseli, por duhet të trokasësh në çdo derë për ti hapur ato, madje edhe në atë të Kroacisë, tha Berisha.

Kryeministri më pas u ndal tek vendimi i opozitës për të thyer bojkotin parlamentar.

Opozita po kalon nga rruga e vetmisë në rrugën normale. Uroj që ajo të marrë përgjegjësitë për veten për të kontrolluar pushtetin, po jo për të bllokuar. Uroj që rruga e vetmisë apo rruga pa krye ose rruga e rënies së murit me kokë të shkojë drejt fundit. Ne jemi të gatshëm në respekt të plotë të ligjeve, të Kushtetutës së këtij vendi, të frymës, të konsiderojmë me respektin më të madh kontributin dhe angazhimet e opozitës. Do bëjmë gjithçka për të respektuar çdo hapësirë që i takon opozitës. Janë një seri reformash, të cilat duhen ndërmarrë së bashku, reforma zgjedhore, ligji aktual është një bazë solide për zgjedhje demokratike, por kjo nuk do thotë që nuk ka vend për përmirësime. Dua të garantoj opozitën se mazhoranca është tërësisht e gatshme që secilin rekomandim ta kthejë në ligj e vendim. Ti adresojmë rekomandimet në interesin më të mirë të kodit elektoral, që është kodi më konsensual në historinë e vendit. Të ftojmë së bashku OSBE-në dhe Komisionin e Venecias, që kanë vullnet të plotë për të na ndihmuar, tha Berisha, duke i premtuar aleatit të tij, Ilir Meta, se reforma do përfshijë atë dhe partitë e tjera përveç partive të mëdha.

Berisha kërkoi që opozita të votojë heqjen e imunitetit.

Ftoj opozitën, e cila dy vite rresht zhvilloi beteja në mbrojtje të korrupsionit, në mbrojtje të hapur të korrupsionit. Kur ne morëm pushtetin, Shqipëria renditej ndër katër vendet më të korruptuara të botës. Rama mendoi se përveç prokurorit duhej të kishte dhe mbrojtjen e imunitetit. Balozët e mamuthët e korrupsionit dalin tani në krye të reformave në krye të PS. Në një vend të qytetëruar, ku shteti ligjor funksionon, lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë e njëanshme. Uroj që opozita si dëshmi e braktisjes së rrugës së vetmisë, të votojë në parlament ligjin për heqjen e imunitetit, ligj që ka ekspertizën e Komisionit të Venecias, që ka bekimin e këtij komisioni. Uroj të mos mbetet e vetmja opozitë në botë që nuk voton heqjen e imunitetit. Një Shqipëri pa imunitarë do jetë një arritje e madhe për çdo taksapagues të këtij vendi, tha Berisha.

Më pas ai u ndal gjatë në gjendjen ekonomike në vend.

Këto dy vjet janë vitet në të cilat ne do të korrim të gjitha ato që mbollëm. Natyrisht kriza ekonomike evropiane e botërore vazhdon, ajo nuk do jetë afatshkurtër, do jetë e dhimbshme, por e vërteta është se Shqipëria reziston më mirë se çdo ekonomi tjetër ndaj saj, tha Berisha.

Ky është vendi i vetëm me rënie të papunësisë, në një kohë kur Rama shpif për 1 milion të papunë. Ai është një piktor i dështuar dhe nuk e di se forca e punës në vend nuk është as 1 milion.

Kryeministri u ndal gjatë në atë që njihet si kriza e borxheve në botë e tha se është shumë e rrezikshme. Megjithëse vendi ynë ka hyrë në këtë krizë, Berisha nuk e pranon direkt, por u shpreh se do bëhet çështë e mundur për të ulur borxhet.

Berisha ka premtuar edhe reformë në fushën e pensioneve. Ai deklaroi se gjenerata tjetër e pensionistëve nuk do marrë asnjë kacidhe nga buxheti i shtetit, por vetëm nga kontributet. E duke qenë se kriza e pensioneve po prek mbarë botën, Berisha foli gjatë për këtë. Ai tha se jetëgjatësia po zgjatet shumë. Në këtë mënyrë ai ka paralajmëruar zgjatjen e moshës së daljes në pension.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›