E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbledhja e PD, Berisha: Ftoj opozitën për reformën zgjedhore

Pak orë, para se të fillonte seanca e parë e këtij sesioni parlamentar, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka zhvilluar mbledhjen e parë pas pushimeve të kësaj vere. Kryetari i Partisë Demokratike, kryeministri Berisha, ka ftuar opozitën për reformën zgjedhore.
 

“Urojmë që opozita të marrë përgjegjësitë e veta. Jemi të gatshëm në respekt të plotë të ligjeve dhe kushtetutës, të konsiderojmë me respektin më të madh, angazhimin e saj duke bërë gjithçka për një respekt rigoroz të çdo hapësire që i takon opozitës në një vend të lirë. Uroj që pakica të heqë dorë përfundimisht nga ideja se ajo mund t`i imponohet shumicës jashtë ligjit, jashtë kushtetutës”, u shpreh ai.
 

Në lidhje me reformat në vend, Berisha theksoi se janë një seri reformash që do mund të ndërmerren së bashku. Ai deklaroi në këtë mbledhje se janë bllokuar një seri reformash politike për integrimin, vetëm e vetëm që vendi të dëmtohej. Duke u ndalur tek reforma zgjedhore, kreu i qeverisë deklaroi se ligji aktual është bazë për zgjedhjet demokratike, por sipas tij kjo nuk do të thotë se nuk ka vend për përmirësim.
 

Po ashtu, kreu i ekzekutivit garantoi opozitën se maxhoranca është tërësisht e gatshme që secilin nga ato rekomandime, bashkërisht t`i shndërrojë në ligje të lidhura me to.
 

“T`i adresojmë në interesin më të mirë të Kodit Elektoral, që është kodi më konsensual në historinë e vendit. Opozita, uroj në interesin e saj, të angazhohet në këtë proces, të ftojmë së bashku Komisionin e Venecias dhe OSBE/ODIHR, të cilët kanë gadishmëri për të ndihmuar parlamentin, sikundër ftoj, opozitën të përfillë realitetin”, nënvizoi ndër të tjera ai. Gjithashtu, Berisha u shpreh se nuk duhet harruar se në këtë vend, janë edhe shumë parti të tjera që të marra së bashku bëjnë sa një parti kryesore, të cilat u përjashtuan nga procesi zgjedhor.

“Do të bëjmë gjithçka të plotësojmë çdo gjë që është në dorë të kësaj mazhorancë, për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në BE. Brukseli është një “kopësht” me 27 dyer, me kroacin bëhen 28, kjo kërkon të trokasësh në çdo derë, kërkon të hapen të gjitha këto dyer, nuk është proces i thjeshtë, por ëshët plotësisht i mundur. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjiothçka të përmushim detyrimet tona para shqiptarëve, para partnerëve evropian. Ky proces të ecë dhe ky vizion të qëndrojë vizion dominues”, theksoi Berisha. 

Kryeministri kërkoi miratimin e ligjit për heqjen e imunitetit, dhe sipas tij ky ligj ka ekspertizën e Komisionit të Venecias. Ai e konsideroi heqjen e imunitetit të deputetëve arritje për vendin. Po ashtu kreu i qeverisë ka folur në mbledhjen e grupit të PD-së, edhe për krizën ekonomike, ku deklaroi se vendi ynë i rezistoi kësaj krize më mirë se çdo shtet tjetër. Duke u ndalur tek sistemi i pensioneve, ai theksoi se ky sistem është në reformim.

“Me reformën e pensioneve, po i afrohemi konkluzioneve përfundimtare. Nuk do të rrisim kontributet e punëtorëve. Do të bëhet e mundur, që gjenerata që vjen pas 15-20 vitesh, të mos ketë më detyrimin për të derdhur nga buxheti i shtetit, fonde të mëdha në fondin e pensioneve”, vijoi kryeministri. Berisha, po ashtu theksoi se inspektoriatet do të reformohen, dhe do të dixhitalizohet çdo proces. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›