E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Topi e Rama bllokuan integrimin e Shqipërisë

Kryetarja e Kuvendit: “...Unë i kam parë gjithmonë bashkë, zotin Topi dhe zotin Rama gjatë gjithë këtyre viteve”

TIRANË Pas një periudhe të gjatë kohe, mazhoranca thyen heshtjen duke iu rikthyer akuzave dhe kritikave të forta adresuar presidentit të Republikës, Bamir Topi. Shkas kryesor ka qenë qëndrimi i presidentit të Republikës, Bamir Topi, ndaj punës që duhet të ndjekë legjislativi pas progres-raportit të publikuar për Shqipërinë nga BE. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka akuzuar dje presidentin e Republikës, Bamir Topi, se ka qenë ky i fundit bashkë me kryetarin e opozitës, Edi Rama, që kanë penguar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “...Natyrisht kam lexuar raportin dhe në mënyrë shumë të veçantë për çështjet e drejtësisë dhe gjyqësorin dhe për korrupsionin e madh, që ka aty brenda. Përsa i takon arsyes, për të cilën nuk është marrë statusi i vendit kandidat, bojkoti dhe bllokimi. Unë i kam parë gjithmonë bashkë, zotin Topi dhe zotin Rama gjatë gjithë këtyre viteve”, - tha dje Topalli, pas takimit të zhvilluar me delegacionin e Bundestagut gjerman, të kryesuar nga zëvendespresidenti Eduart Osvald. Për kryetaren e Kuvendit, përgjegjëse për përmbajtjen kritike të raportit të Brukselit për Shqipërinë, mbetet opozita me veprimet e saj. “Në 12 kriteret janë: ligji për Gjykatën Administrative që prej tre vitesh është në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë dhe që opozita nuk pranon ta votojë. Ju gazetarë që keni ndjekur të gjitha seancat plenare, çdo reformë që është miratuar me votat e mazhorancës është votuar dhe ka dhënë rezultat. Heqja e vizave kishte të bënte vetëm me votat e mazhorancës. Sepse shqiptarët nuk do të përfitonin liberalizimin e vizave sot nëse ky proces do të varej nga 3/5 e votave. Pra, po të varej nga opozita, siç varet statusi. Ligji i dytë është reforma zgjedhore, po pres të më thonë që të ngremë komisionin. Ad Hoc për reformën zgjedhore, për fillimin e punës mbi 53 rekomandimet e OSBE/ODIHR...”,- tha Topalli duke shtuar se në rendin e ditës në Kuvend janë edhe çështje të tjera, që kërkojnë votën e opozitës. “Kam në rend të ditës Avokatin e Popullit. Po pres, por përgjigje nuk ka. Unë kam në rend të ditës ligjin për heqjen e imunitetit, nuk kalon me 71 vota, pavarësisht se deputetët e mazhorancës kanë bërë deklaratë me modelin gjerman për të mos i njohur vetes imunitet. Por Komisioni i Venecias kërkon 84 vota, opozita nuk përgjigjet, opozita nuk voton. Ka ligje të tjera me 3/5, por as dje opozita nuk votoi ligjin për Gjykatën Administrative. Po me Kodin Rrugor çfarë kanë? ...Ne jemi këtu se ka pasur një strategji për të arritur këtu dhe unë mendoj se ia ka dalë, bojkoti ia ka arritur qëllimit, la Shqipërinë pa status”, - tha ajo

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›