E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS miraton amendimet e PD

Kryesia e Partisë Socialiste e mbledhur dje paradite në ambientet e selisë qendrore, ka diskutuar propozimet e Partisë Demkokratiuke mbi ndryshimet në Kushtetutë, ndryshime këto që lidhen me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe me një ndryshim në mocionin ndaj Kryeministrit, duke vendosur në fund që të mbështesë pjesën dërrmuese të tyre. Në përfundim të kësaj mbledhjeje, anëtari i Kryesisë Socialiste, Arben Isaraj, deklaroi për mediat se Partia Socialiste është dakort për ndryshimet në Kushtetutë lidhur me reformën zgjedhore dhe atë në Drejtësi. Sipas Arben Isaraj-t, Selia Rozë është  kundër propozimeve për mandatin e Presidentit, ndërsa do të negociojë për mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, në një kohë që është ‘pro’ në parim me propozimet e Partisë Demokratike për ndryshimet në Kushtetutë lidhur me mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe mocionin ndaj Kryeministrit. 
“Ajo për të cilën ne jemi ‘pro’ në parim, por që njëkohësisht mbetemi të hapur për ta zgjidhur me reformën në Drejtësi, është mandati i Prokurorit të Përgjithshëm dhe afati që do t’i caktojmë këtij mandati lidhur dhe me mandatet e tjera kushtetuese”, - u shpreh Isaraj në prononcimin e tij për mediat. Sipas tij, PS bie dakort edhe me propozimet shtesë të maxhorancës për mocionin e besimit dhe atë të mosbesimit që lidhet me Kryeministrin.
“Ajo çfarë ne refuzojmë dhe nuk negociojmë me asnjë palë, është mandati i Presidentit të Republikës dhe ndryshimet që propozohen lidhur me normat kushtetuese mbi shkarkimin i Prokurorit të Përgjithshëm” - tha Isaraj. Anëtari i Kryesisë së PS-së u ndal edhe në ndryshimet në Kushtetutë lidhur me reformën zgjedhore, të cilat janë propozuar nga forca politike që ai përfaqëson. “Momentalisht jemi gati për të votuar dhe mirëpresim ato ndryshime kushtetuese që lidhen drejtpërsëdrejti me reformën zgjedhore, dhe më konkretisht me ndryshimin e sistemit zgjedhor”, - theksoi Isaraj, ndërsa nënvizoi se “PS bie dakort me amendamentet shtesë në projektligjin e propozuar nga PD, me një rregullim teknik që lidhet me përcaktimin e periudhës zgjedhore”. “PS vazhdon të jetë e bindur se reforma zgjedhore, ajo në drejtësi dhe përfundimi i tyre, do të sillte kërkesa për ndryshime në Kushtetutë”, - nënvizoi anëtari i kryesisë së PS-së. Lidhur me zgjedhjen e Presidentit, PS bëri të ditur variantin e saj me katër raunde, nëpërmjet kësaj procedure: dy raunde me tre të pestat e votave, raundi i tretë me 70 +1 të votave dhe raundi i katërt të kalojë në popull.
Varianti i PS-së: Në raundin e katërt dhe të fundit, Presidenti të zgjidhet nga populli/Partia Socialiste ka variantin e saj me katër raunde për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kjo u bë e ditur dje nga anëtari i kryesisë së PS-së, Arben Isaraj, pas mbledhjes së kryesisë së kësaj partie, ku u diskutuan propozimet e PD-së, mbi ndryshimet në Kushtetutë lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës, mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe një ndryshim në mocionin ndaj Kryeministrit. Lidhur me zgjedhjen e Presidentit, PD ka propozuar që votimi në Kuvend për Kreun e Shtetit të jetë me pesë raunde. “Në rast se pas votimit të katërt nuk është siguruar shumica e kërkuar për një kandidat, zhvillohet një votim i pestë. Në këtë votim të fundit, President zgjidhet ai kandidat që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit", thuhet në amendimin e propozuar nga demokratët. Ky amendim përjashton procedurën e sanksionuar në Kushtetutë se Presidenti duhet të zgjidhet me 3/5 e votave të deputetëve. Përkundër këtij propozimi të demokratëve, Isaraj tha se “PS bie dakort me propozimin shtesë për amendamentet kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e Presidentit, nëpërmjet kësaj procedure; dy raunde me tre të pestat e votave, raundi i tretë me 70 +1 të votave dhe raundi i katërt të kalojë në popull”. Ky, vijoi anëtari i kryesisë së PS-së, do të jetë një proces zgjedhor që do ta propozojmë dhe do të zgjasë për një periudhë kohore rreth 90 ditë, i cili do të ndodhë para mbarimit të mandatit të Presidentit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›