Sherr me armë, plagosen pesë persona
Pesë persona kanë mbetur të plagosur gjatë një konflikti të armatosur ndërmjet dy palëve në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Komunën Vaqar, ndërkohë që policia e kryeqytetit ka shpallur në kërkim dy autorët, të cilët janë larguar nga vendi i krimit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se janë plagosur me armë zjarri pesë persona në fshatin Bulticë, si pasojë e një konflikti të çastit dhe motiveve pronësie, sherr i cili kishte lindur kohë më parë. Rreth orës 09:00, shërbimet e policore të Komisariatit Nr. 6 morën njoftim se në ambientet e një lokali në fshatin Bulticë të Komunës Vaqar ka ndodhur një konflikt me armë midis disa shtetasve. Sipas informacioneve zyrtare, menjëherë për në vendngjarje shkuan shërbimet policore dhe strukturat e posaçme të Seksionit Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit, nga ku u dha ndihma e menjëhershme për personat e plagosur dhe dërgimi i tyre për në Spitalin Ushtarak. Nga ana tjetër, grupi i punës ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të këtij konflikti dhe identifikimin e autorëve, me qëllim dërgimin e tyre para drejtësisë. Në lidhje me këtë, policia shpjegoi se paraprakisht dyshohet nga grupi hetimor i ngritur në vendngjarje, se grindja ka filluar përmes shtetasit F. Lami, 18 vjeç, i cili pasi ka marrë armën automatike, tip kallashnikov dhe ka qëlluar për në drejtim të shtetasve Rasim Bexhet Xhabafti 30 vjeç, Fadil Baftiar Xhabafti 19 vjeç dhe Aqif Fadil Xhabafti, 55 vjeç. Pas këtij konflikti është kundërpërgjigjur po me armë shtetasi R. Xhabafti, 25 vjeç, i cili ka qëlluar për në drejtim të shtetasve Abaz Vath Lami, 45 vjeç dhe Muharrem Nurja, 48 vjeç, ku ky i fundit nuk kishte lidhje me konfliktin përmes dy palëve, pasi ndodhej në lokal rastësisht. Pas këtij konflikti me armë mes dy palëve të lartpërmendura, dy të armatosurit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që policia ka nisur kërkimet për kapjen e tyre. Ndërsa burimet mjekësore thanë për "Shqip" se aktualisht ndodhen në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën shtetasit Rasim Xhabafti 30 vjeç, Fadil Xhabafti 19 vjeç, Aqif Xhabafti 55 vjeç, Abaz Lami 45 vjeç dhe Muharrem Nurja 48 vjeç, të cilët kanë pësuar dëmtime në pjesën poshtme të këmbëve. Nga ana tjetër, uniformat blu treguan se po punohet për kapjen e dy autorëve të kësaj ngjarjeje, të cilët tashmë janë identifikuar, por për arsye të hetimit nuk mund të bëhen publikë gjeneralitetet e plota të tyre. Gjithashtu, efektivët e policisë, nën drejtimin e grupit hetimor, kanë realizuar të gjithë krehjen dhe bllokimin e zonës për kapjen dhe prangosjen e tyre. Policia tha se me dokumentimin e dosjes, materialet do t‘i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.