E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi mesazh deputetëve: Sfidat e Shqipërisë të mëdha

“Kam besim se do të përmbushni misionin tuaj. Sfidat përpara jush janë të mëdha. Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë çast”, shkruan Topi ne mesazhin e tij. Më tej, presidenti i vendit thekson se Kuvendi është tempulli i debatit politik. Ai u ka bërë thirrje deputetëve që të largohen nga interesat e ngushta, në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

“Kuvendi i Shqipërisë është tempulli kombëtar i debatit politik ku ju duhet të zhvilloni angazhimin qytetar dhe kushtetues për të forcuar më tej demokracinë parlamentare pluraliste, për të ballafaquar politikisht vizionet, për të ndarë publikisht përgjegjësitë e respektin pozitë-opozitë, por sidomos për të bashkëbiseduar me njerëzit me përgjegjësinë e madhe politike, për t’u shërbyer atyre në katër vjetët e ardhshme.”, thotë kreu i shtetit.

Më tej, Topi thekson se “Une jam besimplotë se ju do të dini ta përmbushni me përkushtim këtë mision të rëndësishëm në një dimension të ri demokratik edhe sepse në radhët tuaja ka më shumë zonja të nderuara, të cilat do të pasurojnë përvojën e deritanishme me më tepër tolerancë e mënyrë sjelljeje civile”.

Gjithashtu, Topi thotë se “shpejtësia integruese në Bashkimin Evropian varet nga vazhdimi i reformave të guximshme për shtetin ligjor, për barazinë e vërtetë politike, për një drejtësi të standardeve europiane, për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës, për të përsosur institucionalisht ndarjen dhe respektin e ndërsjellë të pushteteve e pavarësinë e tyre, për të ndërtuar ligje që zgjidhin probleme në mënyrë të drejtë, profesionale dhe efektive”.

Ballkani Perëndimor ndodhet në një proces të pakthyeshëm integrimi, falë edhe një angazhimi të rëndësishëm partneriteti të Shqipërisë me miqtë e aleatët e vjetër dhe të rinj-vijoi më tej presidenti i Shqipërisë, ndërsa ka shtuar se “unë kam bindjen se Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë procesin e konsolidimit të shoqërisë demokratike në Republikën e Kosovës dhe atë të njohjeve të reja ndërkombëtare, do të garantojë vazhdimësinë e politikave të fqinjësisë së mirë dhe do të mbështesë bashkëpunimin e dialogun politik me vendet e rajonit”.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›