E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, mesazh falënderimi për Bush

Kreu i shtetit shqiptar ka vlerësuar ish-presidentin amerikan, Bush për ndihmën që ia ka dhënë gjatë dy mandateve të tij për Shqipërinë dhe çështjen shqiptare në përgjithësi. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një mesazh drejtuar të mërkurën ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, vlerësonte rolin e SHBA në rajonin tonë për sigurinë dhe paqen. "Vizita Juaj në vendin tonë ishte mesazhi më i qartë për Shqipërinë, Kosovën e Ballkanin Perëndimor se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonin tonë mbetet sa i rëndësishëm për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme, aq edhe i vlerësuar", thuhet në mesazhin e Presidentit Topi. Zyra e shtypit pranë Presidencës bënte të ditur se kreu i shtetit shqiptar, në këtë mesazh shprehte mirënjohjen e sinqertë për rolin e rëndësishëm që ish-presidenti Bush ka luajtur në zhvillimin e thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit të sinqertë midis dy vendeve tona, veçanërisht në mbështetjen e palëkundur për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, si dhe në inkurajimin në reformat e thella për demokraci, drejtësi e liri në Shqipëri.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›