E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policë dhe tatimorë, pagat sipas gradave

Këshilli i Ministrave rrit
me 10 mijë lekë pagat
e SHKB-së. Përfituesit e
këtij vendimi janë specialistët,
përgjegjësit e sektorit,
drejtorët e Shërbimit të Kontrollit
të Brendshëm dhe të Inspektimit
të Përgjithshëm. Sipas vendimit
të fundit të qeverisë për punonjësit
e SHKB-së do të jetë i
detyrueshëm arsimi i lartë dhe
veçanërisht në sektorët që kanë
të bëjnë me kompjuterin.
Përgjegjësit dhe specialistët e
këtyre sektorëve të cilët punojnë
në pozicione, që lidhen me procesin
e informatizimit duhet të
kenë të detyrueshme, arsimin e
lartë, në degët Inxhinieri Elektronike
apo Informatikë. Nga ky
vendim ata do të përfitojnë një
shtesë page deri në 10 mijë lekë
në muaj.
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar
se zbatimi i kësaj shtese,
për pozicionet konkrete, do të
bëhet pas miratimit paraprak të
Departamentit të Administratës
Publike dhe Ministrisë së
Financave, sipas përshkrimit të
pozicioneve të punës.
Për agjentët, inspektorët apo
asistentët rritja e parë është bërë
në masën 6.500 lekë, ndërkohë
që qeveria ka vendosur të rrumbullakosë
rritjen me 10 mijë
lekë, duke ndryshuar vendimin
e mëparshëm. Vlen të theksohet
se shtesa mujore do të merret në
proporcion me shtesën e parë
që është marrë me vendim të
Këshillit të Ministrave. Nga ana
tjetër duhet theksuar se Këshilli
i Ministrave ka rritur edhe kompetencat
e SHKB-së, pasi ato
tashmë lejohen që të përgjojnë
organet e Policisë së Shtetit.
Masa e shtesës për vjetërsi
në punë të jetë deri në nivelin e
pagës bazë, të gradës pasardhëse.
Përllogaritja e shtesës për vjetërsi
në punë të fillojë në çastin e marrjes
së gradës.
Vendimi
Këshilli i Ministrave, me propozim
të ministrave Bujar Nishani
dhe Ridvan Bode ka miratuar
dje disa ndryshime në vendimin
nr. 558, datë 16.8 2006 për pagat
e punonjësve të Policisë së
Shtetit, të Shërbimit të Kontrollit
të Brendshëm dhe inspektimit
të përgjithshëm në Ministrinë
e Brendshme. Në mbështetje
të nenit 100 të Kushtetutës, të
nenit 5/1, të ligjit nr.8487, datë
13.5.1999, "Për kompetencat për
caktimin e pagave të punës", të
ndryshuar, dhe të ligjit nr.10025,
datë 27.11.2008, "Për buxhetin
e vitit 2009", me propozimin e
ministrit të Brendshëm dhe të
ministrit të Financave, Këshilli
i Ministrave vendosi që të ndryshojë
vetëm strukturën dhe
nivelet e pagave për punonjësit
e Shërbimit të Kontrollit të
Brendshëm dhe të inspektimit të
përgjithshëm. Shtesa për natyrë
të veçantë pune e shërbimi do
të jepet sipas funksioneve. Specialistët,
përgjegjësit e sektorit
apo drejtorët e Shërbimit të
Kontrollit të Brendshëm dhe
të inspektimit të përgjithshëm,
të cilët punojnë në pozicione,
që lidhen me procesin e informatizimit
të veprimtarisë së
këtyre drejtorive dhe kërkojnë,
në mënyrë të detyrueshme, arsimin
e lartë, në degët Inxhinieri
Elektronike apo Informatikë,
përfitojnë një shtesë, për kushte
pune, prej 10 mijë lekësh
mbi pagën mujore, të gradës
përkatëse. Zbatimi i kësaj shtese,
për pozicionet konkrete,
bëhet pas miratimit paraprak
të Departamentit të Administratës
Publike dhe Ministrisë
së Financave, sipas përshkrimit
të pozicioneve të punës. Efektet
financiare, që rrjedhin nga zbatimi
i këtij vendimi, për vitin
2009 do të përballohen nga fondet
e miratuara për Ministrinë e
Brendshme, në buxhetin e vitit
2009. Ky vendim hyn në fuqi pas
botimit në Fletoren Zyrtare dhe i
shtrin efektet financiare nga data
1 korrik 2008.

Ndryshojnë rrogat e tatimorëve

Ndryshon struktura e nivelit
të pagave për punonjësit
e sistemit tatimor.
Këshilli i Ministrave vendosi dje
që shtesa për vjetërsi në punë
jepet 2% pas çdo viti pune, por jo
më shumë se 25% dhe llogaritet
mbi pagën e grupit. Ndërsa për
emërtesën nëninspektor shtesa
për vjetërsi në punë jepet 1%
pas çdo viti pune dhe llogaritet
mbi pagën e pozicionit. Vlerat
20 mijë lekë për diplomat master
i nivelit të dytë/studime të
thelluara pasuniversitare" dhe 25
mijë lekë, për gradën shkencore
"Doktor i shkencave", aplikohen
për nëpunësit dhe titullarët, që i
kanë përfituar diplomat përkatëse
në universitetet, apo shkollat
e larta të vendeve të përcaktuara
sipas listës që i bashkëlidhet
udhëzimit të përbashkët të Ministrisë
së Arsimit dhe Shkencës,
Ministrisë së Financave dhe
Departamentit të Administratës
Publike. Në mbështetje të
nenit 100 të Kushtetutës, të
nenit 5/1, të ligjit nr.8487, datë
13.5.1999, ‘Për kompetencat për
caktimin e pagave të punës", të
ndryshuar, dhe të ligjit nr.10 025,
datë 27.11.2008, "Për buxhetin
e vitit 2009‘, me propozimin e
ministrit të Brendshëm dhe të
ministrit të Financave, Këshilli
i Ministrave vendosi që numri
i punonjësve, për pozicionin
nëninspektor, në drejtoritë dhe
sektorët e investigimit, nuk do të
jetë më shumë se 30% e numrit
të përgjithshëm të punonjësve
të drejtorive dhe sektorit.
Nëpunësit, që përfshihen në
fushën e veprimit të këtij vendimi,
nuk përfitojnë shtesa të
tjera mbi pagë, me akte të tjera
të Këshillit të Ministrave. Pagat e
punonjësve të tjerë mbështetës,
të Drejtorisë së Përgjithshme të
Tatimeve e të drejtorive rajonale,
që kategorizohen në kategoritë
D.2 e D.3, përcaktohen sipas
vendimit përkatës të Këshillit të
Ministrave, për pagat e punonjësve
mbështetës, në institucionet
buxhetore. Efektet financiare,
që rrjedhin nga zbatimi i këtij
vendimi, do të përballohen nga
fondet e miratuara për sistemin
e tatimeve, në buxhetin e vitit
2009.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›