E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi mesazh politikës: Të ndalohen menjëherë demonstratat

Duke e konsideruar si të rëndë dhe të vështirë situatën aktuale, Topi kërkon me ngulm nga klasa politike që të nisë menjëherë rrugën e dialogut, si i vetmi shteg sipas tij, për të tejkaluar këtë moment delikat.

“Nën frymën e konsensusit si dhe sipas standardeve demokratike, si Kryetar i Shtetit shqiptar, në këto momente të rënda e delikate theksoj me forcë nevojën se klasa politike shqiptare duhet të gjejë e të verë në përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë e demokratikë për të dalë nga kjo situatë problematike në interes të Shqipërisë dhe të shtetasve të saj, për të siguruar qetësinë dhe stabilitetin e duhur për vendin dhe shoqërinë shqiptare në realizim të projekteve dhe të ardhmes sonë evropiane”, theksoi Presidenti i vendit.

 Ai kërkon më tej pezullimin e të gjitha demonstratave përkohësisht për të kontribuuar për uljen e tensioneve. “Në këtë drejtim sugjeroj se pezullimi i përkohshëm i çfarëdolloj demonstrate apo tubimi publik do të kontribuonte ndjeshëm në uljen e tensionit si dhe mundësimit të hapësirave të duhura për institucionet e pavarura të drejtësisë që të zhvillojnë një hetim tërësor, transparent, të paanshëm dhe profesional. Nga ana tjetër, duhet që për stabilizimin e menjëhershëm të situatës, si mazhoranca ashtu edhe opozita të gjejnë vullnetin e duhur politik dhe individual e të rivendosin menjëherë dialogun politik institucional!”, vijon ai.

Sipas Topit, qytetarët shqiptarë mund të mbeten peng i retorikës politike, teksa dënon ashpër dhunën e ushtruar të premten. “Qytetarët shqiptarë, në përpjekje për të përmbushur aspiratën e tyre integruese, nuk mund të qëndrojnë peng pafundësisht i retorikës gjithnjë e më të ashpër në publik të aktorëve dhe faktorëve politikë. Duke mos vënë në pikëpyetje për asnjë çast të drejtën legjitime të çdo subjekti politik për të demonstruar paqësisht, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian dhe në unision me organizmat e tjera ndërkombëtare, dënojmë dhunën e ushtruar dhe të pajustifikuar gjatë ngjarjeve të 21 janarit duke theksuar edhe njëherë së rendi kushtetues e publik, jeta e qytetarëve dhe e punonjësve në detyrë si dhe institucionet e shtetit janë të shenjta e të paprekshme”, vijon kreu i shtetit.

Ai shton se është e nevojshme që të rifitohet qetësia dhe maturia për të nisur dialogun institucional. Në fund, kreu i shtetit i kujton klasës politike se zgjedhjet lokale të 8 majit po afrojnë dhe për këtë arsye, klasa politike duhet të garantojë me përgjegjësi të madhe një klimë të qetë për zhvillimin normal të këtyre zgjedhjeve.

“Qytetarët shqiptarë duhen lejuar dhe mundësuar që të shprehin vullnetin e tyre të lirë vetëm nëpërmjet votës, së pacenuar e të pa manipuluar nga askush, në mënyrë që Shqipëria të ketë shansin për t’u bërë pjesë realisht edhe zyrtarisht një anëtare e denjë dhe e barabartë e familjes së madhe evropiane. E ardhmja evropiane e Shqipërisë varet nga sjellja e përgjegjshme, atdhetare dhe vizionare e drejtuesve politikë të mbarë spektrit politik!”, përfundon reagimin kreu i shtetit pas takimit me përfaqësuesin e BE-së i mbërritur në Tiranë ditën e sotme.

/Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-01-26 15:02
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›