Topi mungon në festën e 21 vjetorit të themelimit të PD
Pallati i Kongreseve u popullua në darkë nga dhjetëra simpatizantë të PD-së, deputetë e ministra si dhe ish-themelues e figura që tashmë janë larg kësaj partie. Në këtë festë mungonte presidenti Bamir Topi, i cili pas një karriere disa vjeçare në PD, ku mbante postin e nënkryetarit dhe kryetarit të Grupit, u zgjodh si kryetar i Shtetit. Burime zyrtare nga Presidenca thanë për TemA se ai kishte një ftesë, por për shkak të angazhimeve të detyrës dhe për shkak të pozicionit kushtetues të kreut të shtetit që qëndron mbi palët nuk e pa të udhës të ishte pjesë e një feste partiake. Për të respektuar partinë e tij, pavarësisht hatërmbetjeve me kryetarin e saj Sali Berisha, Topi ishte i pranishëm një vit më parë duke e konsideruar si të rëndësishme pjesëmarrjen në një përvjetor jubile siç ishte 20 vjetori, thanë më tej burimet. Burime nga organizatorët e festës bënë të ditur se lista e të ftuarve përmbante të gjithë themeluesit e partisë, edhe pse me më shumë se gjysmat e asaj liste prej njëqind e ca vetësh Berisha nuk ka komunikim dhe ata janë sot larg PD-së. Shumë prej tyre kishin marrë pjesë në festë.