E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/Të larguarit: Rama s’ka çfarë të ofrojë – duam një alternativë ndryshe

12-12-2011 / Gazeta 55

Përçarja e Partisë Socialiste nuk është më një konstatim surprizë, por një fakt i konstatueshëm. Paralajmërimit të Andis Harasanit se kursi i rezistencës kundër shkatërrimit të PS do vazhdojë me intensitet edhe më të ashpër, pavarësisht, siç tha ai, karameleve dhe copave të kekut që hedh me “dorë” Rama, lart e poshtë, me idenë se mund të manipulojë sa do pak përfaqësimit e mendimit ndryshe, i shtohet zëri i një prej themeluesve të PS. Elmaz Sherifi, njoftoi javën e kaluar se shpall zyrtarisht largimin nga PS si dhe krijon një parti të re politike, Lidhja për Progres dhe Drejtësi. Në ditët e para të vitit të ardhshëm, Sherifi, një nga anëtarët e parë të selisë rozë, që e vërteton edhe teserja i partisë që mban numrin 13, do të drejtojë partinë e re, e cila do të konkurrojë edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Kjo parti e re politike, do të jetë e hapur për të gjithë. Është një parti e qendrës dhe synon ndër të tjera edhe atë elektoral, 40 për qind të shqiptarëve që nuk marrin pjesë në zgjedhje. Partia jonë e re nuk do të ketë një filozofi të caktuar, pasi ndarja në filozofi kanë çuar në ndarje klasore. Ne do jemi parti institucionale. Theksoj se kam pasur oferta të vazhdueshme nga Edi Rama, por krijimi i partisë është një hap më i mirë, është një mundësi e mirë për të mbushur boshllëqet e krijuara vitet e fundit”, u shpreh Sherifi në komunikimin e tij të parë me mediat. Elmaz Sherifi, mbahet mend si një ndër themeluesit e Partisë Socialiste, ai ka qenë gjithashtu edhe deputet i selisë rozë për dy legjislatura, anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PSSH si dhe Ministër i Punës, Çështjeve Sociale si dhe anëtar i kryesisë së PS-së. Ai njihet si tepër kritik ndaj qëndrimit dhe politikës së kreut socialist, Edi Rama dhe jo pak herë ka shprehur hapur qëndrimet kundër. Së fundmi, vetëm një muaj më parë ai shpalli edhe ndarjen me Partinë Socialiste, më tepër një ndarje zyrtare, pasi prej kohësh ai ka qenë larg strukturave të selisë rozë. Ky distancim zyrtar i tij erdhi menjëherë pas Kongresit të Partisë Socialiste, ku në fakt prej kohësh nuk mbante poste në këtë parti. Por, përçarja e Partisë Socialiste nuk konstatohet vetëm nga largimi zyrtar i Elmaz Sherifit, por edhe distancimi disa vjeçar i liderit historik të PS, Fatos Nano si dhe largimi i pritshëm i deputetëve Kastriot Islami, Andis Harasani apo edhe Arben Malaj. E gjithë teza e këtij eksodi të paralajmëruar është se, PS nuk ofron asgjë nga ato që ka premtuar Rama dhe më keq akoma, i është rikthyer praktikave të vjetra të Partisë së Punës si përjashtime, përndjekje dhe denigrime publike të figurave kritike. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›