E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenti/Rruga përçarëse e Edi Ramës premtoi bashkimin e të majtës, solli shkërmoqjen e saj

12-12-2011 / Gazeta 55

Premtoi bashkimin e së majtës për të ardhur në pushtet, por në realitet coptoi të majtën dhe Partinë Socialiste. Jo vetëm që nuk morri pushtetin, por kaloi disfatë pas disfate, duke i vënë vulën me dështimin personal në zgjedhjet e fundit të 8 majit. Përgjegjësitë për këto disfata, Edi Rama përpiqej t’ia faturonte ose kundërshtarit politik, ose bashkëpunëtorëve të tij. Madje, në zgjedhjet e fundit Rama ishte këshilluar nga drejtues të partisë, që prej shumë vitesh kanë punuar për të arritur suksese të vazhdueshme elektorale të Partisë Socialiste. Edi Rama, kur mori drejtimin e selisë rozë vjeshtën e vitit 2005, fillimisht arriti të afronte pranë vetes Lëvizjen Socialiste për Integrim, por raporti mori fund, kur Partia Socialiste bashkoi votat me Partinë Demokratike për ndryshimet në Kushtetutë, pranverën e vitit 2008. Edi Rama jo vetëm që nuk mbajti premtimin për bashkimin e së majtës, por përmes lëvizjeve brenda radhëve të partisë, ai arriti të largojë shumë prej figurave me peshë të kësaj force politike, për të përfshirë “gjak të ri”, sipas tij. Bashkëpunëtorë të ngushtë të Ramës, në kohën kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës, biznesmenë dhe drejtues të “Mjaft”-it, u bënë pjesë e drejtimit, ideimit dhe politik bërjes së Partisë Socialiste. Për hir të së vërtetës, të gjithë këta nuk kishin asnjë lidhje me partinë dhe socialistët e vërtetë. Kryetari aktual i Partisë Socialiste detyroi Ylli Bufin, Petro Koçin, Musa Ulqinin, personi që i dha Ramës teserën e anëtarit të Partisë Socialiste, por edhe Rajmonda Stefën, Ilir Zelën, Makbule Çeçon, Elmaz Sherifin e shumë figura të tjera të largoheshin nga punët e partisë. Lëvizjet e gabuara, detyruan disa prej zyrtarëve të kësaj partie të braktisnin Ramën, për t’u bërë pjesë e partive të tjera të majta, ku kishin hapësira për të thënë mendimin e tyre të lirë. Mund të përmendim rastin e Ylli Manjanit apo Vangjel Tavos. Pavarësisht se Rama është munduar të kamuflojë qëndrimin ndaj liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano, ai ka arritur deri atje që t’i mbyllë derën e shtëpisë politike paraardhësit të tij, që për socialistët e thjeshtë mbetet zot shtëpie. Edi Rama jo vetëm që nuk po bashkon të majtën, por po bën çmos të largojë nga partia ata që nuk e mendojnë njësoj si ai. Në Asamblenë e fundit Kombëtare Partia Socialiste, me propozim të kryetarit të saj krijoi të ashtuquajturin Këshilli i të Urtëve, në përbërje të së cilit ishte edhe ish-Presidenti Rexhep Meidani. Pak ditë më parë një nga ish-themeluesit e Partisë Socialiste, Elmaz Sherifi, krijon një parti të re politike, Lidhja për Progres dhe Drejtësi. Por, lëvizje të reja brenda Partisë Socialiste të Edi Ramës mund të ndodhin. Një gjë të tillë nuk e ka përjashtuar deputeti socialist Andis Harasani. Përfunidmisht, Edi Rama, jo vetëm që nuk po bashkon të majtën, por po i vë kazmën forcës politike që drejton prej 6 vitesh.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›