Topi ndërmjetëson nëse pranon Kryeministri

Negociatat midis pozitës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike duket se kanë ngecur te Kryeministri Sali Berisha. Lideri i opozitës është shprehur qartazi se është kreu i mazhorancës ai që nuk pranon ndërmjetësimin e Presidentit.
Deri më tani që të tre aktorët politikë janë prononcuar në raport me procesin e mundshëm të negociatave për krizën. I pari ishte kreu i shtetit, Bamir Topi, ai që deklaroi hapur se është i gatshëm të ndërmjetësojë, por i duhej një vullnet politik, që në fakt, sipas tij, mungon. Më pas u prononcua edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili theksoi se Topi nuk mund të negociojë mbi vendime gjykate.
Gatishmëria
I pyetur nga mediat në lidhje me pozicionin e tij si ndërmjetës për të zgjidhur krizën, Topi u shpreh disa javë më parë se “është shumë e thjeshtë për të identifikuar vullnetin politik tek aktorët politikë. Unë nuk do të preferoja kurrë që të ndërmerrja një hap pa pasur shenja sado të dobëta të të gjitha palëve ose më mirë të dy palëve për të hyrë në një dialog dhe kjo është parimore e nuk ka të bëjë fare me rastin konkret, çka do të thotë që shprehja është keqinterpretuar, është deformuar dhe patjetër ka marrë një konotacion që sot vjen edhe në formën e një pyetje”. “Unë nuk shoh të ketë asnjë lloj sinjali. Nuk pres të ketë një lloj sinjali.
është një çështje e ballafaqimit politik të palëve, të cilat sikurse e kanë gjetur vullnetin në të kaluarën mund ta gjejnë edhe tani për të bashkëpunuar. Ajo që bën Presidenti, që është në të drejtën e tij kushtetuese, besoj edhe në një pozicion qytetar që do e bënte gjithsekush, do të inkurajonte dialog, por nuk mund të vetëpozicionohet për t’u bërë mediator midis dy palëve që mund ta rregullojnë vetë të gjithë klimën e dialogut”, nënvizoi Topi.
Refuzimi
“Ai është kryetar i KLD-së dhe nuk mund të pranojë kurrë të negociojë një vendim gjykate. Vendimi i gjykatës është i panegociueshëm. Ne i kemi bërë një propozim serioz opozitës, e cila duhet ta shqyrtojë atë me gjakftohtësi”, deklaroi Kryeministri ditë më parë kur u pyet për këtë çështje. Berisha i bëri thirrje opozitës që të respektojë vullnetin e qytetarëve shqiptarë më 28 qershor. Ai u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar me PS-në, e cila, sipas tij, po bën një gabim “historik”.
“Ekziston vlerësimi më i madh për opozitën dhe rolin e saj, si dhe një vendosmëri e plotë për bashkëpunim me opozitën për reformat, por po aq të vendosur jemi në respektimin e vullnetit të lirë të qytetarëve. Krerët e opozitës janë kyçur në një gabim madhor historik, mosnjohjen e vullnetit të lirë të qytetarëve”, tha Berisha.
Konstatimi
Kreu i opozitës, Edi Rama, deklaroi një ditë më parë në një intervistë për “Shqip”, se “Presidenti nuk besoj se ka çfarë bën më shumë për dialogun e munguar në kushtet kur jo të gjitha palët, kam parasysh këtu Sali Berishën, do ta pranonin për të ndërmjetësuar një proces dialogu mes forcave politike”. Sipas Ramës, Topi ka shprehur publikisht predispozitën për ta marrë këtë rol, në rast se do të donin të gjithë dhe kaq mund të bëjë. Rama e cilëson korrekt qëndrimin e kreut të shtetit.