Forumi i lartë i demokratëve pritet të zgjedhë edhe Kryesinë e re të partisë brenda muajit janar

Partia Demokratike do të shtojë numrin e sekretarëve të saj, duke e rritur atë deri në 15, nga 10 që janë aktualisht përfshirë edhe nënkryetarët e partisë. Burime brenda PD-së bëjnë të ditur se sfidat e reja me të cilat do të përballet partia më e madhe e mazhorancës do të shoqërohen edhe me një rritje të moderuar të numrit të sekretarëve të partisë, por pa e kaluar numrin 15 të tyre. Për sa u përket emrave të sekretarëve, pritet që të mos ketë ndryshime rrënjësore, nisur edhe nga fakti se në statutin e ri të Partisë Demokratike, nuk u sanksionua ndarja e posteve qeveritare nga ato partiake. Ndryshimet në sekretariat, por edhe në Kryesinë e PD-së, do të ndodhin javën e tretë të këtij muaji, sipas deklaratës që Kryeministri Berisha, njëkohësisht kryetar i PD-së, bëri në fundin e vitit të shkuar.
Fundi i janarit do të mbledhë për herë të parë pas zgjedhjes së tij, Këshillin Kombëtar të PD-së, i cili do të zgjedhë edhe 25 anëtarët e kryesisë së re të demokratëve. Sipas statutit, numri i kandidaturave për Kryesinë nuk duhet të jetë më i vogël se 37 dhe jo më i madh nga 100, numër përbërës i Këshillit Kombëtar. Rrjedhimisht ky numër kandidatësh mund të jetë rreth 60 dhe përcaktimin e tyre do ta bëjë kryetari i PD-së, Sali Berisha. Përzgjedhja e kandidaturave nuk mendohet të kalojë në filtrin e kryesisë aktuale, pasi mandati i saj konsiderohet i mbyllur me mbajtjen e punimeve të Kuvendit Kombëtar të PD-së. Po kështu do të jenë anëtarët e Këshillit Kombëtar ata që do të zgjedhin nëpërmjet votës edhe sekretariatin e ri. Burimet bëjnë të ditur se për secilin pozicion në sekretariat do të ketë kandidatura alternative, për ta forcuar kështu edhe më shumë garën brenda partisë.
PD-ja, vitin e shkuar, u përqendrua shumë te riorganizimi i strukturave të saj, duke nisur që nga rizgjedhja e kryetarëve të degëve të PD-së në të gjithë vendin. Ky riorganizim e pati shtysën kryesore nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 29 qershorit. Por tashmë PD-ja ka përpara sfidën e zgjedhjeve lokale, të cilat mbahen në fillimin e vitit të ardhshëm dhe për këtë arsye pritet një forcim i strukturave qendrore të partisë, në mënyrë që testi i radhës zgjedhor të kalohet me sukses nga ana e demokratëve. Në fundin e vitit të kaluar, PD-ja mblodhi Kuvendin Kombëtar, një strukturë zgjedhore që mblidhet një herë në katër vjet, për të rizgjedhur edhe Këshillin Kombëtar, organin e dytë të rëndësishëm zgjedhor brenda PD-së. Delegatët e Kuvendit zgjodhën 100 anëtarët e këshillit, nga rreth 400 kandidatura që iu paraqitën nga ana e komisioneve të posaçme, të cilat u ngritën për organizimin e këtij Kuvendi.