E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutohet 45-vjeçari, autorët i vënë flakën banesës



Një burrë 45 vjeç është ekzekutuar me armë zjarri brenda në shtëpi, ndërkohë që më pas banesës, brenda së cilës ndodheshin dhe tre fëmijët e tij, i është vënë flaka. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në fshatin Gradishtë të Lushnjes dhe viktima është Bujar Krasniqi. Fillimisht është dyshuar se banesa ka marrë flakë dhe kryefamiljari kishte mbetur i bllokuar brenda, ndërkohë që u quajt fatmirësi shpëtimi i jetës së fëmijëve. Por, teksa i nënshtrohej trupi i pajetë ekspertizës mjeko-ligjore, u vunë re disa shenja plumbash, të cilat vunë në lëvizje policinë e Lushnjes dhe kolegët e Fierit. Nuk kishim të bënim me një rënie zjarri në banesë, por me një ekzekutim të pastër dhe për të humbur gjurmët, banesës së viktimës iu vu zjarri. Sipas burimeve nga policia, viktima kishte në pjesë të ndryshme të trupit plagë të shkaktuara nga një armë zjarri. Ai është qëlluar për vdekje nga autorët, të cilët më pas i kanë vënë flakën shtëpisë për të humbur gjurmët. Megjithatë, në dhomën ngjitur kanë qenë edhe tre fëmijët e viktimës, ndërkohë që gruaja e tij nuk ndodhej në banesë, pasi kishte shkuar për një ngushëllim tek të afërmit. Sipas policisë, fëmijët nuk kanë dëgjuar zhurmë dhe janë shpëtuar nga e motra 13-vjeçare, që ka parë flakët të shtohen në banesë. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë dhe zjarrfikësit, të cilët kanë shuar flakët, ndërkohë që kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje.

Ngjarja

Rreth orës 01:30, në banesën e Bujar Krasniqit janë parë flakë, të cilat kishin mbuluar shtëpinë. Ka qenë vajza e tij 13-vjeçare që ka vrapuar të shpëtojë tre vëllezërit e saj, që ishin duke fjetur në dhomë, ndërkohë që më pas ka shkuar tek shtëpia e xhaxhait për ndihmë. Ajo ka parë një person, i cili ishte duke i vënë flakën shtëpisë dhe është larguar më pas. Me gjithë përpjekjen për të shuar flakët, ato janë përhapur me shpejtësi në të gjithë banesën, kjo si pasojë e lëndës djegëse të spërkatur për të bërë që ajo të digjej. Në vendngjarje shkuan zjarrfikësit dhe policia. Nga kontrolli i bërë u gjet trupi i pajetë i djegur i 45-vjeçarit. U krye ekspertiza mjeko-ligjore, nga ku rezultoi se vdekja e Krasniqit nuk kishte ardhur si pasojë e flakëve në banesë, por si pasojë e plagëve me armë zjarri. Viktima kishte disa kohë që ishte kthyer nga Greqia, ku qëndronte si emigrant.

Policia

Pas ekspertizës, ku rezultoi se Bujar Krasniqi ishte vrarë dhe më pas djegur, u ngrit menjëherë një grup pune për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje. Në vendngjarje shkoi edhe drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit, Shemsi Premçi, për të ndjekur nga afër hetimet. Nga hetimet paraprake dyshohet se ekzekutimi i 45-vjeçarit është bërë me silenciator, gjatë kohës që ai ka qenë në gjumë, pasi fëmijët, por edhe të afërmit e tjerë nuk kanë dëgjuar zhurmë. Më pas, për të humbur gjurmët, autorët i kanë vënë flakën shtëpisë. Sipas burimeve nga policia, viktima nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë. Janë disa pista që po hetohen nga hetuesit, ku më e mundshmja është ajo e ndonjë konflikti të viktimës kohët e fundit, ose kur ai ka qenë emigrant në Greqi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›