Zgjedhjet, Ngjela: Pragu të arrijë në 5%
Lesi dhe Ngjela mbështesin rritjen e pragut duke përdorur sistemin mazhoritar
TIRANË- Çështja e pragut elektoral dhe ajo e sistemit zgjedhor ka "çoroditur" vijueshmërinë e marrëdhënieve mes partive të vogla. Pas takimit të parë të zhvilluar për këtë çështje, ku edhe u duk se të "vegjlit" kishin arritur një akord mes tyre si për pragun ashtu edhe për sistemin, deklarata e kreut të LSI-së, Ilir Meta, për sistem proporcional të pastër prishi harmoninë mes partive të vogla. Të vegjlit iu kundërvunë LSI-së jo vetëm për qëndrimin për sistemin, por edhe për rritjen e pragut në masën e 5 përqindëve. Kërkesë, e cila ditët e fundit ka nisur të gjejë përkrahje jo vetëm nga partitë e mëdha, por edhe nga deputetët, Spartak Ngjela dhe Nikollë Lesi, të dy nismëtarë të krijimit të dy forcave të reja politike, që pritet që shumë shpejt të zyrtarizohen. Deputeti Spartak Ngjela shprehet publikisht se ka ardhur koha, që pragu për t'u përfaqësuar në Kuvend të bëhet 5 për qind, aq sa parashikon dhe sistemi gjerman, të cilin mbështesin partitë e vogla. Sipas tij, çdo parti duhet të jetë e përgatitur për çdo sistem elektoral dhe një prag më të lartë zgjedhor. Ndryshe nga shumica e partive politike në vend, ai përkrah një sistem të pastër mazhoritar, si një mënyrë ku zgjedhësi mund të votojë individin. "Ka ardhur koha që në Shqipëri të kemi një prag 5 për qind",- është shprehur Ngjela. Ndërkohë ish-kreu demokristian, Nikoll Lesi, i cili sapo ka bërë publike dhe krijimin e forcës së tij të re Lidhja Demokristiane Kombëtare, ndërsa mbështet një rritje të kontrolluar të pragut elektoral me 0.5 për qind, kërkon një sistem të pastër proporcional-rajonal. Kjo, sipas tij, do të eliminonte të gjitha ato fenomene negative, siç është "Dushku", tensionimi ditën e zgjedhjeve apo dhe futja në Kuvend e kandidatëve surprizë. "Zbatimi i këtij sistemi do të eliminonte fenomenin e "Dushkut" dhe konfliktet fisnore e fizike të deritanishme në zonat elektorale",- tha Lesi, duke rishprehur edhe një herë idenë se pragu duhet të rritet me 0.5 për qind për çdo zgjedhje parlamentare, derisa të arrij masën e 5 përqindëve. Pro rritjes së pragut duket se është edhe Partia Republikane, e cila ka shprehur gatishmërinë për të negociuar çdo lloj rritjeje të mundshme.