Shpërblimi i pensionistëve, Rama “bën paqe” me Harasanin në Facebook
Deputeti socialist, Andis Harasani propozon përmes Facebook-ut që paratë e destinuara për prishjen e Piramidës t’u jepen si shpërblim pensionistëve për Vitin e Ri. Edi Rama: Jam dakord me Andisin, shpërblejmë pensionistët dhe nuk shkatërrojmë Piramidën
Lideri i opozitës, Edi Rama dhe deputeti i njohur për qëndrimet e tij kritike, Andis Harasani, janë të një mendjeje sa i takon shpërblimit të pensionistëve. Paqja “virtuale” vjen përmes rrjeteve sociale, ku më së pari, deputeti Harasani ka hedhur idenë e shpërblimit të pensionistëve me 5 milionë dollarët që buxheti i shtetit ka përcaktuar për prishjen e Piramidës, ide kjo e përkrahur edhe nga Rama. “Po dëgjoja ministrin Bode, i cili theksoi se nuk ka fonde buxheti i shtetit për shpërblim për pensionistët për Vitin e Ri. Ja, t’i japim një ide të gjithë bashkë: të heqë fondin prej 5 milionë dollarësh për prishjen e Piramidës dhe me këtë fond të paguajë nga 5 mijë lekë 100 mijë pensionistë”, - shkruan deputeti Andis Harasani në faqen e tij në “Facebook”. Ky propozim i deputetit Andis Harasani ka marrë mes shumë komenteve edhe një “like” nga Edi Rama, i cili ka qenë në të njëjtën gjatësi vale në faqen e tij në “Twitter”. “Jam dakord me Andisin: me 5 milionë dollarë u japim 100 mijë pensionistëve 5 mijë lekë për Vitin e Ri dhe nuk shkatërrojmë Piramidën”, - shkruan kreu i Partisë Socialiste, duke e bërë tashmë këtë ide të hedhur nga Harasani, një qëndrim zyrtar të opozitës. Shpërblimet për pensionistët kanë ngacmuar edhe deputetin tjetër të PS-së, Erjon Braçe, i cili u është bashkuar dy të parëve sërish përmes Facebook-ut. “Nuk ka shpërblim për pensionistët, pasi paratë u harxhuan për makinat që do shpërndanin protestat; paratë u harxhuan për të shpërblyer vrasësit e 21 janarit; paratë u harxhuan për ashensorin e Berishës…”, - shkruan ndër të tjera Braçe, duke denoncuar kësisoj përmes ‘FB’ abuzimet e qeverisë me paratë e shqiptarëve.
Propozimi i deputetit Andis Harasani, i përkrahur edhe nga Rama, apo edhe reagimi i Braçes vijnë një ditë pasi ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi se ndryshe nga vitet e shkuara, pensionistët nuk do ta përfitonin këtë vit shpërblimin e fundvitit, ose që njihet ndryshe si “gjeli” i Vitit të Ri. Në të njëjtën dalje publike, Bode siguroi punonjësit e administratës se do ta përfitojnë 10-mijëlekëshin, si shpërblim në fund të vitit. Pas kësaj deklarate të ministrit Bode, nga selia rozë munguan reagimet zyrtare, por jo ato që vijnë përmes ‘Facebook’ e ‘Twitter’, e që këtë radhë kanë bashkuar në një qëndrim deputetin kritik, Andis Harasani dhe liderin e opozitës.
Harasani: Pse refuzova
detyrën që më caktoi Rama
Deputeti Andis Harasani e cilëson lëvizjen e fundit të liderit socialist, si një ngjyrë të re në një mur të vjetër. “Nuk shoh reflektim nga lidershipi i PS”
"Ngjyrë e re, mur i vjetër". Kështu i ka cilësuar deputeti Andis Harasani lëvizjet e fundit të liderit të opozitës, Edi Rama. Në një intervistë për revistën “Klan”, Harasani thotë se me zgjedhjet në PS nuk sheh reflektim nga lidershipi i PS-së. “Nuk shoh reflektim nga lidershipi i PS-së, por vetëm një përdorim ngjyrash të reja mbi të njëjtin mur të vjetër. Antiberishët dhe antiramët u votuan më shumë nga të gjithë, por kush nuk u votua nuk u mor vesh, edhe antiberishët edhe antiramët, apo as antiberishët dhe as antiramët. Askush nuk e tha që nga sekretariati të gjithë ikën përveç Fatmir Xhafajt dhe Blendi Klosit, pra edhe në 2009-ën, edhe në 2011-ën organizimi dhe koordinimi kanë qenë perfekt, natyrisht edhe Kryetari, kurse gjithçka tjetër nuk ka funksionuar?!!!!!” - thotë Harasani. Në këtë intervistë, deputeti i njohur për mendimin e tij ndryshe nga lidershipi i PS-së, ka shpjeguar edhe arsyet që e shtynë të refuzonte detyrën që i ngarkoi kreu i partisë. “…sikur dikush t’i thoshte Ramës të provonte të kandidonte për kryetar komune diku, ai i pari nuk duhej të pranonte, sepse do të ulte standardin. E njëjta gjë dhe për mua. Vetëm në ushtrinë e E. Hoxhës, të ngritur sipas parimeve komuniste, thuhej se ushtari nuk duhej lënë fare pa punë, që dhe kur nuk kishte asgjë për të bërë, duhej të detyrohej të bënte diçka, qoftë dhe të padobishme sepse ndryshe, do të fillonte të mendonte”, – shton deputeti Harasani. Ai ka pohuar se njësoj si edhe herët e tjera, Rama tregoi se i largon armiqtë, edhe pse çuditërisht sipas tij, operon me idetë e tyre. “Kur folëm pas zgjedhjeve të 2009-ës na kritikuan përse folët “pas pilafit”, tani duhet të heshtni. Kurse kur folëm në 2011-ën para zgjedhjeve, na thanë “duke folur ju, PS humbi”; pra mesazhi është në çdo rast heshtni, pra jepini “gomarit ujin që do vetë, as të ngrohtë dhe as të ftohtë, ndërkohë që as vetë gomari nuk e di se çfarë uji do”. Rama i largoi “armiqtë” e tij, por çuditërisht tani po operon me idetë e tyre. Duke nisur që me fundin e bojkotit, me kthimin në Kuvend dhe votimin e ligjeve të nevojshme për integrimin e vendit”, - shprehet Harasani në intervistën e dhënë për revistën “Klan”.