Topi në Korçë ditën e Pashkëve

Presidenti Topi
Presidenti Bamir Topi do të jetë sot në qytetin e Korçës, ku do të presë edhe ardhjen e ditës së Pashkëve. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri të ditur dje axhendën e Topit në qytetin juglindor. Në orën 19:00, Presidenti do të jetë në një ceremoni dekorimi në teatrin Andon Zako Çajupi. Mësohet se Presidenti do ti japë dekoratën Mjeshtre e Madhe e Punës sportistes Pavlina Evro. E konsideruar si rekordmenia e pathyeshme në vrapimin 1500 metra, Pavlina Evro ka qenë atletja e rezultateve më spektakolare në aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare në vitet 80 dhe 90. Ndërsa në orën 00:00, kreu i shtetit do të bëjë urimet e rastit në Katedralen e Korçës, ku zhvillohet mesha me rastin e ringjalljes së Krishtit. Ndërsa të dielën, në orën 11:00, Presidenti do të zhvillojë vizitë në selinë e Metropolisë së Shenjtë.
Gjykata, ende peng i dy neneve
Komisioni i Ligjeve do të përfundojë këtë javë miratimin e 52 neneve për ngritjen e Gjykatës Administrative në vend. Pas rreth tri javësh diskutime mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, kanë ngelur ende dy nene, që janë edhe më kryesoret, të draftit të ardhur nga qeveria, për ta bërë gati ligjin për në seancë parlamentare. Bëhet fjalë për nenet 4 dhe 5, që kanë të bëjnë me numrin e gjykatave në shkallë vendi dhe kriteret që duhet të përmbushin gjyqtarët për tu zgjedhur në Shkallën e Parë dhe atë të Apelit. Relatori i këtij projektligji, deputeti i PS-së, Armando Subashi, pritet të përfundojë brenda ditës së diel propozimet e tij për këto dy nene, për tia dërguar ato Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të thotë edhe fjalën e fundit përpara se të diskutohen në një nga mbledhjet e ardhshme të Komisionit të Ligjeve.