Krisje e koalicionit të djathtë? Meta: Spekulime, mazhorancë e qëndrueshme

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka hedhur poshtë hamendësimet për krisje të koalicionit të LSI-së me Partinë Demokratike. Nga qyteti i Fierit, në një takim me LGI, Meta ka dalë garant për një qëndrueshmëri të koalicionit të së djathtës, duke i quajtur spekulime. Më tej ai ka bërë thirrje për shmangie të konflikteve boshe dhe përqëndrim në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
“Mazhoranca është funksionale, ka mënyra sesi verifikohet për ata që pretendojnë të kundërtën, janë spekulime. Është koha që ti ikim sa më shpejt këtij konfliktualiteti që vjen nga vullneti i disa politikanëve për të ndezur konflikte. Është koha që të përqëndrojmë energjitë tona në proceset primare, në integrimin e Bashkimit Europian” tha ai.
Më tej Meta ka bërë thirrje dhe për mos politizimin e zgjedhjeve në gjyqësor,në funksion të një dreJtësie funksionale.
“Mesazhi ynë ka qenë dhe mbetet unison, zgjedhje të tilla nuk duhet të politizohen për sa kohë i përket pavarësisë së gjyqësorit, për të pasur një funksionim të mirë të drejtësisë. Për këtë arsye LSI nuk i kthen në sfida politike” shtoi Meta.
Ai gjithashtu është shprehur kundër dhunës së opozitës në Parlament, gjatë votimit të anëtarit të ri të KLD, duke theksuar se nuk ka të fituar nga konfliktet.
“Ajo ishte një shkëndijë pa zjarr, rregullat e Parlamentit duhen respektuar në mënyrë strikte, praktika e bllokimit dhe konflikteve duhet të marë fund. Debatet janë të domosdoshme, por duhet të tregojmë vetëpërmbajtje, pasi askush nuk përfiton nga këto konfliktet” përfundoi Meta.