Rama: Do punësojmë 300 mijë veta

Tryeza e PS për punësimin
Kreu i PS shpalos programin e punësimit: është tejkaluar shifra e 1 milion të papunëve.
Luftë konceptit të vjetruar të asistencës sociale
Partia Socialiste ka shpalosur dje programin për punësimin në vend. Në fjalën e tij, kreu i opozitës tha se objektivi i forcës që ai drejton pas zgjedhjeve të vitit 2013 do të jetë punësimi i 300 mijë personave. Financimi i programeve të posaçme për vetëpunësim dhe punësim në zonat e prapambetura është po ashtu një domosdoshmëri themelore. Ne besojmë se duke vlerësuar edhe rezervuarin shumë të madh të papunësisë në fshat, por edhe potencialin shumë të madh të punësimit në fshat, mund të shënjestrojmë me kurajë objektivin e 300 mijë vendeve të reja pune, u shpreh Rama. Ai tha se në kundërshtim me tezat e qeverisë, sipas së cilës punësimi i plotë është i pamundur, programi i opozitës garanton punësim për çdo individ të aftë për punë. Sipas kreut të PS-së, aktualisht në vend janë rreth një milion të papunë. Shtatë vjet qeverisje në Shqipëri nuk kanë arritur të ndryshojnë asgjë në drejtim të punësimit. Përkundrazi. Pas këtyre 7 vjetëve është kapërcyer shifra e një milion të papunëve që nuk kanë mundësi të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për një jetesë dinjitoze. Asnjë reformë gjoja e ndërmarrë nga qeveria nuk ka rezultuar me rritje të punësimit, theksoi kreu i PS-së. Duke shpalosur pjesë të programit të tij, lideri i opozitës, tha se pas zgjedhjeve të vitit 2013 do të hiqet asistenca sociale dhe të gjithë ata që e përfitojnë sot do të mbështeten duke punuar. Do të luftojmë pa asnjë kompromis konceptin e vjetruar dhe skandaloz të asistencës për të papunët, duke synuar mbështetjen e tyre, por përmes punës. Duke e kushtëzuar financimin publik me një kontribut sipas niveleve të mundësive që kanë njerëzit në nevojë për asistencë, u shpreh më tej Rama.
Sa u përket universiteteve private në vend, ai tha se ato janë kthyer në strehë për të papunët. Universitetet janë kthyer në radhë të parë në strehë për të papunët dhe ku politika e gjurulldisë totale me arsimin e lartë është një politikë që niset nga pafuqia dhe paaftësia për të përballuar papunësinë rinore. Dhe nga strategjia tërësisht kundër interesit kombëtar dhe publik që tu hapim dyert nga të katër anët në universitet dhe pesë vjet ne që jemi në qeveri të rrimë rehat dhe të mos kemi përballë një numër të papërballueshëm të papunësh, të cilëve nuk u japim dot përgjigje, përfundoi Rama fjalën e tij.
Programi
Vizioni ynë për punësimin mbështetet në katër shtylla, që janë: Së pari, rritje ekonomike të qëndrueshme mbi një model të ri ekonomik, që nuk bazohet te rritja pa punësim, por te punësimi përmes rritjes. Së dyti, koordinim i politikave të tregut të punës, arsimit bazë dhe atij profesional, barazisë së shanseve dhe politikave sociale parandaluese. Së treti, hapja e sektorit të punëve publike për punëtorët e pakualifikuar dhe të papunët afatgjatë dhe të dekurajuar. Së katërti, fleksibilitet në marrëdhëniet e punës, tha Rama.
Programi i PS për punësimin
1. Aftësimi
- Në 4 vite do të përmirësojmë aftësitë e nxënësve shqiptarë në Matematikë dhe Gjuhë.
- Shkollat e arsimit profesional brenda dy viteve do të pajisen me laboratorë.
- Do të trajnohen brenda 6 muajsh të gjithë të rinjtë nën 25 vjeç që janë regjistruar si punëkërkues të papunë.
- Do tu jepet një shans të gjitha grave për tu trajnuar apo vetëpunësuar.
- Do të trajnohen brenda 2 vitesh të gjithë të regjistruarit si punëkërkues të papunë.
- Do të krijojmë programe, kurse kualifikues të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara.
2. Zhvillimi për punësim
- Taksimi i ndershëm progresiv, kombinuar me heqjen e sistemit arbitrar të referencave në paga dhe në punësim, do të ndihmojë dhe bizneset e vogla për tu zhvilluar, duke shtuar numrin e këtyre bizneseve, si dhe punësimin në to.
- Do të sigurojmë transport publik në çdo qytet, e sidomos pranë zonave industriale, për tu dhënë mundësi burrave e grave të zgjedhin turnin kur duan të punojnë.
- Do të rrisim mundësitë për kujdesin ndaj fëmijëve që të ketë mjaftueshëm çerdhe e kopshte, si dhe transport publik të organizuar e personalizuar sipas çerdheve, kopshteve e shkollave. Oraret e tyre të përputhen me oraret e punës së prindërve.
3. Shteti si ndërmjetësues
- Do të dhjetëfishojmë financimin publik për punësim.
- Harmonizimi i politikave dhe ligjeve, me qëllim realizimin me efektivitet të nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara.
- Përmirësimi i Kodit të Punës, ligjit për nxitjen e punësimit dhe akteve nënligjore për të bashkërenduar përpjekjet e shtetit, punëmarrësve dhe punëdhënësve në përmirësimin e cilësisë së punës.
- Nxitja e kreditimit/mikrokreditimit të sipërmarrjeve rinore.
4. Shteti si punësues aktiv
- Investimi publik në partneritete publike-private në sektorë të ekonomisë që mund të punësojnë shumë qytetarë.