E Diel, 1 Nëntor 2026

Krisafi: Marrëveshja për kufijtë detarë me Greqinë sduhet arnuar

Forumi i zhvilluar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave

Akademia e re e Arteve dhe Shkencave Shqiptare zhvilluan dje forumin e parë publik. Personalitete nga shkenca, arti e kultura, u mblodhën dje për ti dhënë start Akademisë së re, të themeluar në dhjetor të vitit të kaluar. Akademia përbëhet nga 33 anëtarë, 26 prej të cilëve janë shqiptarë, emra të shquar të shkencës dhe artit, si: Ismail dhe Helena Kadare, Inva Mula, Ermonela Jaho, Pëllumb Xhufi, Thoma Thomai, Xhevat Lloshi, Pirro Milkani, Isuf Kalo etj. Si i pari forum, edhe tematika e tij ishte paksa e gjerë. Ajo përmblidhte të gjitha çështjet thelbësore që shqetësojnë shoqërinë shqiptare sot, si integriteti territorial i Shqipërisë, kriza e arsimit universitar shqiptar, energjia elektrike, modeli ekonomik post-tranzicion dhe kapitalizmi shqiptar, probleme dhe sfida të muzikës e kinematografisë shqiptare etj. Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave është produkt i mentalitetit të përpunuar intelektual të vendit bashkë me qëllimin dhe vullnetin për të kontribuuar në studime të ndryshme dhe për të siguruar ecuri e qëndrueshmëri të zhvillimit të vendit dhe sigurisë kombëtare, u shpreh në fjalën e hapjes së këtij forumi Marenglen Spiro, anëtar i Akademisë. Ai u shpreh se forumi është vendi më i mirë për të rrahur mendime e debate mbi çështje të rëndësishme, një vend ku dëgjohet dhe respektohet mendimi ndryshe. Në këtë forum të parë, Spiro lexoi edhe përshëndetjen e sopranos shqiptare Ermonela Jaho, anëtare e Akademisë, e cila, në pamundësi për të qenë e pranishme, dërgoi falënderimet dhe i uroi suksese forumit. Më tej u vijua me kumtesat e parashikuara në program. Kështu, juristi i njohur, Ksenofon Krisafi, kumtoi Integriteti territorial dhe kufiri detar me Greqinë, duke prekur një nga çështjet më të nxehta të dy viteve të fundit, që u zgjidh vetëm me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke bërë historikun e marrëveshjes detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, Krisafi u shpreh se kjo çështje mbetet ende e hapur, se ajo duhet riparë, por jo duke arnuar marrëveshjen e mëparshme, por nga fillimi dhe me një grup të ri pune. Sociologu Fatos Tarifa u ndal në çështjet e arsimit në Shqipëri dhe sfidat që i dalin para arsimit të lartë në kushtet e konkurrencës mes shtetërorit dhe privatit, por dhe teknologjive të reja dhe internetit. Mjeku Isuf Kalo u ndal te Çduhet të reformohet në shërbimin shëndetësor në Shqipëri dhe si?; Adrian Civici te Sfidat e rritjes ekonomike në Shqipëri. Çmodel ekonomik na duhet? etj. Në fund të kësaj konference u prezantua edhe numri i parë i revistës së Akademisë së Arteve dhe Shkencave, Academe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›