E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në OKB: Shqipëria po ndjen efektet e krizës

Shqipëria arriti ti mbijetojë krizës në Eurozonë, madje duke ruajtur një nivel të mirë ekonomik. Kështu ka deklaruar Presidenti Bamir Topi gjatë fjalës së mbajtur në Debatin e Nivelit të Lartë për krizën botërore që po mbahet këto ditë në OKB, në Nju York. Sipas tij, kjo situatë ndryshimesh pozitive ka përfshirë edhe vende të tjera të Ballkanit, që aspirojnë të integrohen në Evropën e Bashkuar, ku ka përshëndetur Kosovën, që brenda një kohe të shkurtër ka arritur rezultate pozitive në të gjitha proceset e demokracisë dhe të reformave ekonomike.

“Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike mesatare vjetore prej rreth 5.5 për qind deri në vitin 2009, gjë që ka çuar në një rritje të mirëqenies së shtetasve tanë. Gjithashtu, janë rritur investimet e kapitalit të huaj, është përmirësuar infrastruktura e vendit, është zgjeruar rrjeti i arsimit, shëndetësisë, mediave, shoqërisë civile, si dhe pjesëmarrja më e gjerë e gruas dhe rinisë në gjithë jetën politiko-shoqërore. Kjo situatë ndryshimesh pozitive ka përfshirë edhe vende të tjera të Ballkanit, që aspirojnë të integrohen në Evropën e Bashkuar. Dëshiroj me këtë rast, të përshëndes shtetin e ri, të pavarur të Kosovës, që brenda një kohe të shkurtër ka arritur rezultate pozitive në të gjitha proceset e demokracisë dhe të reformave ekonomike, duke ndikuar direkt në paqen e sigurinë e rajonit” , tha presidenti.
Ndërsa duke analizuar krizën në Eurozonë, në emër dhe të shtetit që përfaqëson, Topi tha se kriza ekonomike tregoi se asnjë vend nuk mund të jetë imun ndaj saj.

“Kombinimi i çmimeve të larta të naftës dhe mallrave, trazirat, tërmetet dhe cunamet, krizat e borxhit dhe problemet fiskale kanë çuar në rritjen masive të riskut të kundërt. Nga pikëpamja ekonomike, vende me peshë të madhe në ekonominë botërore nuk janë në ritmet e tyre karakteristike. Madje janë përjetuar rënie të mprehta dhe në tregje me rritje më të shpejtë, si dhe në vende të orientuara drejt eksporteve. Një gjendje e tillë ka bërë që politikanët, menaxherët dhe ekspertët të mos jenë aq të sigurt nga sa ishin më parë, për arsye se pasojat e krizës financiare dhe ekonomike kanë ekspozuar haptazi dobësinë e zbatimit të teorive dhe politikave ekonomike”, deklaroi Presidenti Topi.

Kreu i Shtetit preku dhe dobësitë e bankave, ku theksoi se fokusi i tyre mbi inflacionin ishte më i madh se sa ai mbi rritjen ekonomike, punësimin dhe stabilitetin e sektorit financiar, gjë që tregon përse pasojat që shkaktuan efektet e krizës financiare dhe ekonomike globale janë në një shkallë më të lartë se sa pasojat nga inflacioni.

“Si rezultat i ndikimit të efekteve të tregjeve financiare, tregtisë, investimeve dhe remitancave edhe në një vend më pak të integruar në ekonominë rajonale dhe botërore siç është Shqipëria, tashmë vihet re ndikimi i krizës pavarësisht se rritja ekonomike e saj ishte më e madhe se sa në vendet e tjera në rajon. Politika dhe politikanët e botës së ditëve tona, do të vlerësohen nga kontributi që ata do të japin për të ngritur shpresën e popujve dhe të njerëzimit në lidhje me një jetesë më të mirë”, pohoi Topi gjatë takimit të lidervë botërore në OKB.

Për Presidentin e vendit, kapërcimi i krizës do të jetë një zgjidhje e radhës, ndërsa parandalimi i krizave në të ardhmen, do të kërkojë gjithnjë e më shumë zhvillimin dhe përsosjen e institucioneve të ekonomisë së globalizuar.

“Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se globalizimi, përhapja e specializimit dhe e ndarjes së punës në shkallë botërore, përfaqësojnë çelësat kryesorë për t`i thënë: Ndal thellimit të krizës dhe përsëritjeve të saj në të ardhmen, pasi prodhimi po ndërkombëtarizohet për ditë e më shumë: një mall zakonisht përbëhet nga pjesë të prodhuara në shumë vende të botës! Bota e globalizuar, ku prodhimi nuk ka kufi, ku tregtia dhe transaksionet financiare drejtohen nga qëllimi i sigurimit të fitimit dhe nga marrja përsipër e rreziqeve, karakterizohet nga veprimtari absolutisht indiferente ndaj ekzistencës së distancave dhe të kufijve kombëtarë”, tha Presidenti.

Sipas tij, niveli mesatar i jetesës është ngritur në mënyrë të konsiderueshme: qindra milionë njerëz i janë larguar nivelit të varfërisë ekstreme, ndërsa qindra milionë njerëz të tjerë kanë një nivel mirëqenie pothuajse të njëjtë me atë të njerëzve në vendet e zhvilluara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›