E Diel, 1 Nëntor 2026

Benitez e Ançeloti, çmenduritë e Realit

Reali i Madridit dëshiron të marrë Karlo Ançelotin në Spanjë për të zëvendësuar Bernd Shusterin. E përditshmja popullore spanjolle "Marca" e titullon tashmë si të pakthyeshme mundësinë e divorcit mes trajnerit gjerman dhe klubit spanjoll: "Kemi besim të plotë te trajneri i ynë dhe jemi shumë të lumtur për një gjë të tillë", kishte thënë disa ditë më parë drejtori i përgjithshëm i madrilenëve, Predrag Mijatoviç, por nga burime pranë këtij drejtuesi të lartë të klubit rekordmen spanjoll, ka dalë në pah edhe emri i trajnerit të kuqezinjve italianë, si më i mundshmi për të zëvendësuar Shusterin, në rast të një largimi të tij të mundshëm. "Marca" shkruan se Ançeloti ishte pranë kalimit te skuadra e Realit në 2006-ën, por më pas gjithçka u hodh në erë. Ndërsa tani, mundësitë për ta parë në "Bernabeu" duket se janë rritur shumë.

PËRGËNJESHTRIMI

"Marca" e ka hapur kështu faqen e saj të parë: "Ançeloti, menjëherë te Reali". Kriza e Realit të Madridit bën që ata të hidhen në merkato. Për momentin, duket se bëhet fjalë vetëm për zëra. Ata që e përforcojnë këtë hipotezë janë drejtuesit e Milanit, të cilët kanë dhënë një përgjigje në lidhje me largimin e mundshëm të teknikut të tyre. Sipas së përditshmes spanjolle, edhe pse Kalderon sapo ka rinovuar besimin për trajnerin Shuster, presidenti i madrilenëve po punon për një alternativë tjetër. I pari në listë është Rafa Benitez. I dyti është Karlo Ançeloti. Dhe Adriano Galiani duhet të vrapojë menjëherë, për të përgënjeshtruar sërish gjithçka, ashtu siç kishte bërë pak ditë më parë edhe për Andrij Shevçenkon: "Kam folur me Mijatoviç, ka thënë drejtori administrativ i kuqezinjve, sepse si ai dhe presidenti Kalderon janë miqtë tanë. Mund të takohemi miqësisht, por për sa u përket këtyre që po thuhen tani, nuk ka asgjë të vërtetë. Ançeloti e Shevçenko janë pjesë e pandashme e Milanit dhe Reali i Madridit nuk i ka kërkuar kurrë".

ZARATE vs KRESPO

Reali i Madridit është hedhur në kërkim të një sulmuesi të denjë dhe duket se epiqendra e vazhdimeve të tij është Italia. Pas dëmtimit të Van Nistelroit, ata kërkojnë një sulmues race. Pista që të çon te Hernan Krespo është e mbushur me pengesa dhe prandaj ka dalë në pah një tjetër pistë e re: 21-vjeçari sulmues i Lacios, Mauro Zarate. Emri i tij, sikurse ka bërë të ditur "Marca", është shkruar tashmë në axhendën e Realit të Madridit për merkaton e muajit janar. Megjithatë, askush nuk mund të konfirmojë se pista "Krespo" është harruar përfundimisht. Burime pranë skuadrës madrilene bëjnë të ditur se tashmë tratativat mes madrilenëve dhe sulmuesit argjentinas janë mbyllur dhe ai në muajin janar mund të kalojë me titull përfundimtar te Reali për një shifër te rreth 4 milionë eurot.

Zarate

Sulmuesi argjentinas i skuadrës së Lacios shihet si një alternativë e mirë për të zëvendësuar Van Nistelroin e dëmtuar. Por atij tashmë i duhet të rivalizojë me Hernan Krespon, bisedimet për të cilin duket se kanë përfunduar për një shifër te rreth 4 milionë euro për kartonin e tij



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›