Maradona: Skuadra garanton një të ardhme të qetë
Diego Maradona e di se ka gjëra në jetë që janë shumë më të rëndësishme se futbolli, edhe pse të mërkurën në mbrëmje ai ka përmbushur atë ëndërr të madhe, që zgjati shumë në kohë: të drejtuarit e skuadrës së Argjentinës. Maradona ka përqafuar të 11 futbollistët argjentinas, ndërsa po hynin në fushë, por gjesti i mëvonshëm i tij kishte të bënte me shqetësimin e krijuar nga gjendja jo e mirë e vajzës së tij shtatzënë gjashtëmuajshe. "Kam menduar për vajzën time dhe fëmijën e saj, për gjithë femrat që më kanë rrethuar dhe që m‘i kanë lehtësuar gjërat në momentet më të vështira të jetës sime". Argjentina ia ka shpërblyer, ka qenë e mrekullueshme në fushë: "Argjentina ka luajtur në mënyrë të shkëlqyer 25 minutat e para, ku nuk u shfrytëzuan shanset e krijuara. Por në fund fitorja ishte e merituar për ne. Kemi lënë pas atë përvojë të keqe në ndeshjen me Kilin. Por na duhet të bëjmë ende shumë punë në të ardhmen. Mua më ka kënaqur i gjithë kualiteti i skuadrës që më lë shpresa për një të ardhme të qetë të skuadrës". Vajza e tij e ka kaluar pa shumë probleme situatën dhe dje ai është dukur edhe më i kënaqur.