E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Shkup takimi me Ali Ahmetin i rastësishëm

TIRANË- Pas reagimit të partive opozitare shqiptare në Maqedoni të cilat kanë shprehur keqardhje që presidenti Topi gjatë qëndrimit në Shkup takoi vetëm liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, zyra e informimit për shtyp në presidencë sqaron se kreu i shtetit nuk ka pasur asnjë takim të programuar me drejtues të partive politike shqiptare në Maqedoni.

Takimi me zotin Ali Ahmeti, sipas zyrës së shtypit ka qenë një takim rastësor i bërë në mjediset ku po zhvillohej ceremonia e përurimit të “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit”. Gjithashtu me këtë rast, presidenti Topi ka zhvilluar një bisedë telefonike duke u përshëndetur edhe me Kryetarin e PDSH-së, zotin Menduh Thaçi, i cili nuk ishte i pranishëm në këtë ceremoni.

Presidenti Topi gjithmonë ka inkurajuar e mbështetur bashkëpunimin e harmoninë mes forcave politike shqiptare në Maqedoni si faktorë stabiliteti e paqeje, edhe në rajon. Këtë qëndrim të njohur të tij, presidenti Topi e përsëriti në të gjitha takimet zyrtare që pati gjatë qëndrimit të tij në Shkup.

Çdo interpretim tjetër i takimit të rastësishëm me kryetarin e PDI-së Ali Ahmeti është i pasaktë dhe nuk i kontribuon aspak frymës së vazhdueshme që kryetari i shtetit shqiptar ka përçuar për unitetin e faktorit shqiptar në Maqedoni, si kontribues i rëndësishëm i aspiratave integruese të vendit.

Me këtë rast Presidenti Topi rithekson se vetëm bashkëpunimi, uniteti dhe angazhimi institucional i faktorit shqiptar në Maqedoni, janë rruga e duhur për të realizuar aspiratat e tyre në kuadrin e integrimit euroatlantik të këtij vendi mik thuhet në njoftimin për shtyp të presidencës.

(e.m/news24/BalkanWeb) Lidhje te tjera Maqedoni, opozita shqiptare reagon kundër presidentit Topi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›