Rama në Durrës: Të zbardhet 21 janari
DURRES- Kryetari socialist Edi Rama deklaroi dje, nga Durrësi, se "Nuk kemi kohë të humbim, Ne do t'i dalim zot kësaj toke". Gjatë turit të tij nëpër Shqipëri, me moton "Fajin e ka Saliu", Rama tha se ka vetëm një rrugë dhe kjo është zgjedhja e Partisë Socialiste. "Pushteti i kusarisë dhe hajdutëve janë në krye të këtij vendi. Krimet e tyre ekonomike po rrënojnë Shqipërinë", - u shpreh më tej Rama, në takimin e hapur me socialistët durrsakë. "Ky popull i kërkon Shqipërinë mbrapsht kusarëve në pushtet", - u shpreh më tej Rama. "Sigurisht hetimi i pavarur, i drejtë dhe transparent është e vetmja rrugë në një shoqëri normale dhe demokraci normale, për të zbardhur një krim shtetëror qeveritar me pushkë në dorë, në mes të bulevardit të kryeqytetit si ai i 21 janarit, por ne s'kemi asnjë iluzion se fajtorët do të shkojnë përpara drejtësisë për sa kohë padrejtësia do të jetë ulur dhe do të bëjë ligjin në tryezën e asaj që gabimisht quhet qeveria e Shqipërisë, sepse është pushteti vrastar i kusarisë", - tha Rama, duke folur për 21 janarin në Durrës.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)