Topi ngushëllon familjarët e Agim Mekollarit

Kreu i shtetit Bamir Topi ka ngushëlluar sot familjarët e Rreshterit Agim Mekollari, i cili humbi jetën aksidentalisht dje në mesditë, gjatë kryerjes së operacionit të asgjësimit të municioneve me plasje, në Poligonin e Bigazit në Skrapar.
“Me dhimbje të thellë mësova për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur, që humbi jetën tragjikisht gjatë kryerjes së detyrës. Më lejoni që, në këto momente të vështira për ju, t`ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të ndaj me ju dhimbjen për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë!” thekson në telegramin e tij kreu i shtetit.
Më tej presidenti Topi thekson se rënia në krye të detyrës e ushtarakut të devotshëm Agim Mekollari është një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, miqtë e kolegët, për shtetin dhe për të gjithë shtetasit shqiptarë.
“Vepra heroike e Agim Mekollarit është tregues i sakrificës sublime, që me punën e misionin e përditshëm e të vështirë, dha dhe jetën në mbrojtje të vendit e sigurisë së të gjithëve. Me cilësinë e Presidentit të Republikës dhe të Komandantit të Forcave të Armatosura, por edhe si qytetar, mbështes stukturat shtetërore e ushtarake që të nisin menjëherë hetimin e plotë të ngjarjes dhe të gjejnë sa më shpejt shkaqet që çuan në humbjen e jetës së një nënoficeri të përkushtuar dhe plagosjen e tre punonjësve të tjerë të ushtrisë shqiptare” shtoi Topi.