E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi ngushëllon familjen e gazetarit Arjan Dodbiba

Kreu i shtetit Bamir Topi ka ngushëlluar sot familjarët e gazetarit dhe skenaristit Arjan Dodbiba i cili ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundje të rëndë. Përmes një mesazhi ngushëllimi, presidenti Topi thekson se gazetari Dodbiba mbetet simbol i gazetarit të talentuar i cili ka nxjerrë në pah vlerat me të mira shqiptare.

“Në kujtesën e teleshikuesve, miqve e kolegëve Arjani mbetet simbol i gazetarit të talentuar e me shumë përvojë, që lëvroi në dy dekadat e fundit me shumë profesionalizëm e dashuri, zhanrin e reportazhit e dokumentarit televiziv, duke nxjerrë në pah vlerat më të mira shqiptare në fushën e kulturës, dijes e atdhedashurisë” thekson Topi.

“Dëshiroj t`u shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve, bashkëshortes e djalit, që humbën njeriun e tyre të shtrenjtë, si dhe miqve e kolegëve të medias, që nuk e kanë më mes tyre gazetarin e skenaristin e përkushtuar, që sillte në ekranin e vogël copëza të jetës së shqiptarëve brenda e jashtë vendit" përfundon mesazhin e tij kreu i shtetit.


Një ndër emrat më të njohur të gazetarisë televizive në 20 vjetët e fundit, Arjan Dodbiba, ndërroi jetë dje pasdite nga një sëmundje e rëndë. Dodbiba, i cili për dy dekada, pas viteve ’90 në Shqipëri, realizoi cikle të shumta reportazhezh, telereportazhezh, dokumentarësh dhe filmash televizivë, mishëronte gazetarin që cmonte lirinë, profesionalizmin dhe dashurinë për atdheun. Të panumurta janë dokumentarët dhe telereportazhet kushtuar kulturës e sidomos librit, përmes të cilëve ai diti të trajtojë një galeri të pasur me pesonazhe dhe protagonistë të jetës kulturore, trashëgimisë dhe përfaqësimit kulturologjik shqiptar, larg skemave dhe larg ndikimeve ideologjizuese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›