Topi ngushëllon familjen e prokurorit Xhevat Hana

Kreu i shtetit Bamir Topi ka ngushëlluar sot familjen e prokurorit Xhevat Hana i cili ndërroi jetë dje pas një sëmundjeje të rëndë.
Në mesazhin e tij drejtuar familjes Hana, kreu i shtetit shprehet se ndarja e parakohshme nga jeta e tij përbën një humbje të madhe e të pazëvendësueshme për familjen, për kolegët, për vetë shtetin shqiptar, por edhe për të gjithë ata që kanë pasur fatin të bashkëpunojnë e ta njohin atë nga afër.
Ai gjithashtu ka çmuar përkushtimin e tij ndaj detyrës së vështirë të prokurorit, integritetin e profesionalizmin si dhe cilësitë e tij të spikatura qytetare e njerëzore.
“Në këto çaste të rënda, duke ndarë me ju dhimbjen e humbjes dhe duke ju gjendur pranë shpirtërisht, dëshiroj të vlerësoj edhe njëherë Xhevatin e ndjerë për punën dhe kontributin e tij të rrallë profesional në shërbim të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!” – theksohet në mesazhin e ngushëllimit të Presidentit Topi.
Prokurori i njohur Xhevat Hana, i cili kishte në dorë çështjen e rrëmbimit të biznesmenit kosovar Remzi Hoxha, humbi jetën dje në një spital të Italisë.Prokurori i krimeve të rënda u nda nga jeta në moshën 58- vjeçare, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.